Mori sot detyrën: Kush janë 4 prioritetet e ambasadorit amerikan

Facebook
WhatsApp

Gjatë dëgjesës së tij në Senatin amerikan, më 20 maj, Wendt paraqiti prioritetet që do të udhëheqin misionin e tij në Shqipëri. Në krye të tyre renditi sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Gjenerari Eric Wendt ka marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, duke rikthyer pas gati tre vitesh një ambasador të konfirmuar në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë.

Wendt i dorëzoi sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e tij. Ai pason Yuri Kim, e cila përfundoi detyrën në qershor 2023. Pas largimit të saj, misioni diplomatik amerikan u drejtua nga Nancy VanHorn në cilësinë e të ngarkuarës me punë.

I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht 2026, Wendt vjen në Shqipëri pas më shumë se 34 vitesh karrierë në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale “Green Berets”, si dhe me një përvojë të gjatë në fushën e sigurisë dhe operacioneve speciale.

Me marrjen e detyrës nga Wendt, rikthehet në Tiranë një ambasador i konfirmuar pas një periudhe të gjatë. Përpara tij, dhjetë diplomatët e fundit që kanë drejtuar Ambasadën Amerikane në Shqipëri kanë qenë:

-Yuri Kim – Ambasadore nga janari 2020 deri në vitin 2023. Ishte ambasadorja e fundit përpara Wendt.
-Donald Lu – Ambasador nga janari 2015 deri në shtator 2018. Mandati i tij u shënua veçanërisht nga fokusi te reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.
-Alexander A. Arvizu – Ambasador nga dhjetori 2010 deri në janar 2015.
-John L. Withers – Ambasador nga gushti 2007 deri në gusht 2010.
-Marcie B. Ries – Ambasadore nga tetori 2004 deri në qershor 2007.
-James F. Jeffrey – Ambasador nga tetori 2002 deri në maj 2004.
-Joseph A. Limprecht – Ambasador nga shtatori 1999 deri në maj 2002.
-Marisa R. Lino – Ambasadore nga shtatori 1996 deri në maj 1999.
-Joseph E. Lake – Ambasador nga tetori 1994 deri në mars 1996.
-William E. Ryerson – Ambasadori i parë amerikan në Shqipërinë e pas-rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, me mandat nga dhjetori 1991 deri në tetor 1994.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u rivendosën më 15 mars 1991, ndërsa Ambasada Amerikane në Tiranë u hap më 1 tetor të po këtij viti. Përpara Ryerson, Christopher Hill shërbeu për një periudhë të shkurtër si chargé d’affaires, nga tetori deri në dhjetor 1991, por nuk mbajti postin e ambasadorit.

Programi i Eric Wendt për Shqipërinë

Mandati i Eric Wendt pritet të ketë një fokus të fortë te siguria, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë.

Gjatë dëgjesës së tij në Senatin amerikan, më 20 maj, Wendt paraqiti prioritetet që do të udhëheqin misionin e tij në Shqipëri.

Në krye të tyre renditi sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.

Wendt foli gjithashtu për rëndësinë e reformës në drejtësi dhe shprehu mbështetje për SPAK-un, duke vlerësuar bashkëpunimin e këtij institucioni me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

“Puna e SPAK-ut mbetet kyçe për sa kohë ky institucion ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike”, deklaroi Wendt gjatë dëgjesës së tij në Senat.

Me marrjen e detyrës, ambasadori i ri amerikan vjen në Tiranë me një profil të theksuar ushtarak dhe sigurie, ndërsa në qendër të mandatit të tij do të jenë marrëdhëniet dypalëshe në mbrojtje, siguria, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimi me institucionet shqiptare të drejtësisë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick