Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të diskutojë në lidhje me dëmin që ka shkaktuar një prej anëtarëve të deridjeshëm të tij, shefja e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni
Ka nisur në Pallatin e Brigadave, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku të pranishëm janë vetëm 14 anëtarët e përhershëm të tij. Këshilli kryesohet nga presidenti i vendit Bajram Begaj, i cili deri tani nuk ka mbajtur asnjë qëndrim publik në lidhje me skandalin që çoi në pranga shefen e SHISH. Siç edhe njoftoi vetë kreu i PD-së Sali Berisha, presidenti i vendit nuk ka pasur një ftesë për opozitën që të ishte e pranishme në mbledhjen e sotme.
Paradoksi i kësaj mbledhje është se Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të diskutojë për një prej anëtarëve që deri pak ditë më parë ka qenë vetë pjesë e tij, Vlora Hyseni. SHISH përfaqësohet në mbledhjen e sotme nga i komanduari Elvis Hila. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka vetëm rol këshillimor dhe përgjatë diskutimeve mund të adresohen shqetësime, por nuk ka vendimmarrje.
Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë:
- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj (kryeson Këshillin)
- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi
- Kryeministri, Edi Rama
- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi
- Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha
- Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu
- Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo
- Ministri i Financave, Erion Malaj
- Ministri i Transportit dhe Energjisë, Enea Karakaçi
- Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj
- Kryetari i Komisionit parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Bledar Çuçi
- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji
- Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Elvis Lila
- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj
Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë Edi Rama iu adresua qytetarëve shqiptarë, në lidhje me skandalin e SHISH. Rama tha se Vlora Hyseni i ka një borxh moral qytetarëve shqiptarë, ndërsa shtoi se në rast se është cënuar siguria kombëtare të gjitha shqetësimet do të adresohen në mbledhjen e sotme të Këshillit.
“Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal.
Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive.
Ndërsa orvajtjet e këtyre ditëve, për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me turlilloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën. Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë.
Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë.
Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere – nënvizoj, e shkëlqyera – ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit.
As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer”, u shpreh mes të tjerave Rama gjatë ditës së djeshme.









