Këtë të hënë duke nisur nga ora 08:30 në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti Bajram Bagaj thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kjo pas masës së “arrestit shtëpiak” për Vlora Hysenin, ish-drejtuesen e SHISH që u shkarkua më pas.
Për këtë zhvillim ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila e ka cilësuar si maskaradë këtë mbledhje ku opozita nuk është ftuar, teksa nga selia blu kërkojnë formimin e qeverisë teknike.
Reagimi I plotë I PD-së:
Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk është gjë tjetër veçse një maskaradë e pështirë, e orkestruar nga po ata krerë institucionesh që e zhytën vendin në këtë humnerë pasigurie, kriminaliteti dhe degradimi.
Kush diskuton sot për sigurinë kombëtare?Një tryezë ku shumica dërrmuese e anëtarëve janë të kapur mat në përgjime, në pazare të pista, në ndarje parash dhe në bashkëqeverisje të hapur me krimin e organizuar! Si mund të presë një popull i tërë mbrojtje nga ata që e kanë vënë shtetin në shërbim të bandave për të ruajtur pushtetin dhe paratë e vjedhura?
Shkaktarët nuk mund të jenë kurrë shpëtimtarë!
Siguria kombëtare nuk mund të mbetet në duart e antikombëtarëve që shesin të ardhmen e vendit në duart e krimit.
I vetmi akt me një fije dinjiteti i këtij këshilli të padinjitet, i kësaj qeverie dhe i këtij parlamenti të kapur, do të ishte një dhe i vetëm: vetëshkrirja dhe largimi pa kthim!
Shqipëria nuk ka nevojë për mbledhje fasadë, por për:
Shpërbërjen e menjëhershme të një shteti të kapur në “krevat” me krimin.
Largimin e kësaj kaste të komprometuar dhe të zhytur në dosje e përgjime.
Formimin e një qeverie teknike që garanton njëherë e mirë të drejtën themelore të mohuar: votën e lirë e të ndershme.
Maskat kanë rënë dhe koha e maskarenjve ka marrë fund!









