Mazhoranca dhe opozita në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë votuar pro propozimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u dhënë titullin “Qytetar Nderi” katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.
Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur “Qytetar Nderi” të Tiranës.
Vendimi është miratuar sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës me votat e maxhorancës socialiste si edhe të këshilltarëve opozitarë.
Propozimi erdhi nga burgu, nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ishte tronditur thellë nga vendimi i Gjykatës Speciale për dënimin e tyre me 81 vite burg së bashku, për krime lufte.
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata. Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon”, tha Veliaj në mesazhin e tij.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, për shkak se nuk iu dha leje nga GJKKO.
Motivacionet për drejtuesit e UÇK-së:
Hashim Thaçi
Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kadri Veseli
Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Jakup Krasniqi
Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e tij të hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën.
Rexhep Selimi
Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën, kryeqytetin që në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj.









