Ministria e Arsimit bëri të ditur se rreth 400 shkolla u prekën nga protestat ose ndërprerjet e mësimit të martën, nga afro 3,700 institucione të këtij lloji në të gjithë Francën.
Mbi 400 persona, shumica prej tyre të mitur, janë arrestuar të martën në Francë, pasi nxënës të shkollave të mesme bllokuan institucionet arsimore në mbarë vendin, duke protestuar kundër klasave të mbipopulluara, mungesës së mësuesve dhe orareve të gjata mësimore, përcjell Shekulli.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi për BFM TV se 440 persona janë arrestuar në të gjithë vendin. Sipas tij, rreth dy të tretat e të arrestuarve janë dërguar në paraburgim, ndërsa shifrat përfundimtare ende nuk janë konfirmuar.
Ministria e Arsimit bëri të ditur se rreth 400 shkolla u prekën nga protestat ose ndërprerjet e mësimit të martën, nga afro 3,700 institucione të këtij lloji në të gjithë Francën.
Përleshje mes protestuesve dhe policisë
Protestat nisën në Paris javën e kaluar, por më pas u përhapën në qytete të ndryshme të vendit. Në Lille, në veri të Francës, nxënësit dogjën kazanë mbeturinash dhe hodhën shishe, gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë.
Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës pasi protestuesit dëmtuan stacione autobusësh dhe tabela reklamuese.
Ministri Nunez tha se gjatë përleshjeve pati edhe shtatë raste të hedhjes së acidit klorhidrik ndaj efektivëve, ndërsa në total 48 policë janë plagosur gjatë incidenteve në mbarë vendin. Përleshje u raportuan gjithashtu në Bordeaux, Rennes, Nantes dhe Marsejë.
Në një prej protestave në veri të Parisit, nxënësit shfaqën pankarta kundër orareve të gjata mësimore. Një prej tyre shkruante: “8:00-18:00. Më shumë orë mësimi sesa gjumë.”
Protesta për kushtet në shkolla
Në Seine-Saint-Denis, në periferi të Parisit, qindra nxënës protestuan në mbështetje të kërkesave për më shumë burime dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Kryebashkiaku Bally Bagayoko iu bashkua protestës dhe i cilësoi kërkesat e nxënësve si legjitime.
Ndërkohë, sipas Agence France-Presse, pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa efektivët përdorën shkopinj gome ndaj turmës.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, bëri thirrje për qetësi dhe e cilësoi përshkallëzimin e dhunës si të papërgjegjshëm. Ai tha se zjarret, fishekzjarret dhe dhuna pranë shkollave rrezikojnë nxënësit, stafin dhe policinë.
Përplasjet politike
Protestat kanë shkaktuar gjithashtu përplasje politike. Jean-Luc Mélenchon, lideri i partisë së majtë La France Insoumise, kritikoi reagimin e autoriteteve dhe akuzoi qeverinë për përdorim të tepruar të forcës.
Lecornu iu përgjigj duke e cilësuar deklaratën e Mélenchon si një përshkallëzim të papërgjegjshëm dhe argumentoi se politikanët duhet të bëjnë thirrje për qetësi dhe të mbrojnë të rinjtë.
Protestat lidhen edhe me grevat kundër buxhetit
Demonstratat e nxënësve zhvillohen paralelisht me grevat e sindikatave franceze kundër planeve buxhetore të qeverisë, të cilat parashikojnë masa për uljen e shpenzimeve publike.
Të martën, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të sektorit publik ndërprenë punën, përfshirë rreth 40% të mësuesve të shkollave fillore.
Sindikatat e nxënësve kanë bërë thirrje për bllokimin e shkollave të mesme në të gjithë Francën, duke kërkuar më shumë burime, më pak nxënës në klasa dhe më shumë mësues e staf mbështetës.
Ryad Rani, president i Union Syndicale Lycéene, tha se nxënësit po përballen me klasa me 32 deri në 35 nxënës, si dhe me mungesë të mësuesve dhe personelit.
Sipas tij, përgjigjja e qeverisë ndaj protestave ka qenë e papërshtatshme, ndërsa kërkoi që nxënësit të lejohen të protestojnë në mënyrë paqësore.
Edhe sindikatat e mësuesve kanë shprehur mbështetje për shqetësimet e nxënësve. Caroline Chevé, sekretare e përgjithshme e FSU-së, tha se nxënësit po përballen me të njëjtat probleme si mësuesit: klasa të mbipopulluara dhe mungesë të stafit.









