Studentët “çojnë në këmbë” Francën, afro 2 mijë të arrestuar

Facebook
WhatsApp

Protestat nisën me kërkesa që lidhen me mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, gjendjen e ndërtesave shkollore dhe kushtet e përgjithshme të mësimit.

Protestat studentore në Francë janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke u përhapur në të gjithë vendin dhe duke u shoqëruar në disa qytete me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë.

Autoritetet franceze njoftuan 1,949 arrestime vetëm gjatë së enjtes, ndërsa 305 efektivë të policisë dhe xhandarmërisë u plagosën gjatë përleshjeve.

Përshkallëzimi i protestave vjen rreth shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, në një kohë kur qeveria e Emmanuel Macron po përballet me presion të fortë për gjendjen e sistemit arsimor.

Sipas Ministrisë së Brendshme, shumica e arrestimeve lidhen me vepra të tilla si dhuna, sulmet ndaj zyrtarëve publikë dhe pjesëmarrja në trazira.

Ministri i Arsimit, Edouard Geoffrey, njoftoi se rreth 400 shkolla do të mbeten të mbyllura, ndërsa mësimi do të zhvillohet në distancë. Ai tha gjithashtu se që prej nisjes së protestave janë plagosur 170 studentë dhe 65 pjesëtarë të stafit arsimor.

Protestat nisën me kërkesa që lidhen me mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, gjendjen e ndërtesave shkollore dhe kushtet e përgjithshme të mësimit.

Në disa qytete demonstratat kanë vijuar në mënyrë paqësore, ndërsa në të tjera janë regjistruar incidente të dhunshme, zjarrvënie dhe përplasje me policinë.

Në Nantes, një zjarr shkaktoi dëme të konsiderueshme në shkollën e mesme “Nelson Mandela”. Në zona të tjera u dogjën kazanë mbeturinash dhe u hodhën fishekzjarrë, ndërsa forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës në disa raste. Gjithashtu, janë raportuar dëme në infrastrukturën publike dhe mjetet e transportit.

Kriza tashmë është shtrirë edhe në arsimin e lartë. Kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur një takim për të diskutuar situatën, ndërsa organizata studentore Union Étudiante ka raportuar bllokada në rreth 30 kampuse universitare.

Qeveria ka ashpërsuar retorikën ndaj lëvizjes. Lecornu e ka cilësuar situatën si “trazira civile”, ndërsa Ministria e Brendshme pretendon se një pjesë e dhunës ka motive politike dhe ka akuzuar partinë La France Insoumise (LFI) dhe organizata radikale të krahut të majtë.

LFI i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se qeveria po zgjedh “teorinë e konspiracionit” dhe shtypjen, në vend që t’u përgjigjet kërkesave të studentëve.

Ndërkohë, kërkesat e protestuesve mbeten të përqendruara te rritja e burimeve për arsimin, plotësimi i vendeve vakante të mësuesve dhe përmirësimi i kushteve të mësimdhënies.

Ministri i Arsimit ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe ka njoftuar nisjen e një dialogu me përfaqësuesit e studentëve, prindërve dhe mësuesve, me synimin për të zhvilluar një proces të organizuar konsultimi.

Qeveria franceze ka paralajmëruar për atë që e ka cilësuar si “dhunë urbane”, ndërsa ka njoftuar se një numër shkollash do të kalojnë në mësim online për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit pedagogjik.

Kryeministri francez, Sébastien Lecornu thirri të enjten një mbledhje të kabinetit dhe u kërkoi ministrave të anulonin udhëtimet e planifikuara, në mënyrë që të angazhoheshin në menaxhimin e situatës, raporton The Guardian.

Protestat nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit, por më pas u përhapën në pjesë të ndryshme të Francës.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, pritet të takohet të premten me përfaqësues të nxënësve për të diskutuar situatën dhe kërkesat e tyre.

Sipas policisë, rreth 900 protesta, bllokime dhe incidente të lidhura me demonstratat ishin duke u zhvilluar të enjten pranë shkollave të mesme në të gjithë vendin.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick