Tre aksidente të rënda rrugore janë regjistruar gjatë orëve të mbrëmjes në disa zona të vendit, duke shkaktuar dy viktima dhe shtatë persona të plagosur. Mes të përfshirëve në aksidente janë edhe fëmijë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjeve
Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor Maqellarë–Peshkopi, në vendin e quajtur Dovalan, pranë shkollës së fshatit. Dy automjete, një “Mercedes-Benz” dhe një “Golf 5”, janë përplasur kokë më kokë, duke lënë të plagosur shtatë persona, mes tyre edhe dy fëmijë.
Sipas të dhënave paraprake, në “Golf 5” udhëtonin një çift bashkëshortësh së bashku me dy vajzat e tyre të mitura. Pesë prej personave të përfshirë në aksident raportohet se janë pjesëtarë të së njëjtës familje.
Të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Për transportin e tyre janë angazhuar gjashtë ambulanca. Sipas raportimeve paraprake, nëna e dy vajzave ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një tjetër ngjarje tragjike është shënuar në Kurbin, ku një vajzë vetëm 3 vjeçe ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një mjet bujqësor që drejtohej nga babai i saj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:50 në oborrin e banesës së familjes, në fshatin Malbardh. Sipas informacionit paraprak të policisë, 45-vjeçari me inicialet B.A. po manovronte mjetin bujqësor kur, në rrethana ende të paqarta, ka goditur vajzën e tij të mitur. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë, 3-vjeçarja humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e dinamikës së saj.
Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në aksin Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec. Një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin L.S., ka përplasur një 18-vjeçar, i cili u transportua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprimet e mëtejshme procedurale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.









