Simbol i protestave masive në Spanjë, ndërron jetë 87-vjeçarja që u dëbua nga banesa.
Maricarmen Abascal, 87-vjeçarja që u kthye në një nga figurat e protestave për të drejtën e strehimit në Spanjë, ka ndërruar jetë në Spitalin Gregorio Marañón të Madridit. Ajo qëndronte e shtruar që prej 23 shtatorit, kur autoritetet e larguan nga banesa ku kishte jetuar për shtatë dekada.
Sindikata e Qiramarrësve njoftoi vdekjen e saj, duke bërë të ditur se përpjekjet për ta rikthyer në shtëpi kishin përfunduar me një marrëveshje, por gjendja e saj shëndetësore nuk e lejoi ta realizonte kthimin.
Abascal jetonte në lagjen Retiro të Madridit, në një apartament që familja e saj e kishte marrë me qira në vitin 1956. Pas vdekjes së prindërve, ajo kishte vazhduar të banonte aty, duke paguar 500 euro në muaj.
Situata ndryshoi në vitin 2020, kur kompania Urbangestion bleu ndërtesën. Qiraja mujore u rrit në 2 650 euro, një shumë që 87-vjeçarja nuk kishte mundësi ta paguante. Ajo jetonte e vetme dhe kishte një aftësi të kufizuar të certifikuar në masën 50%.
Më 23 shtator, policia ndërhyri për të zbatuar vendimin e dëbimit. Qindra qytetarë u mblodhën pranë ndërtesës dhe u përpoqën të pengonin largimin e saj. Forcat e policisë kaluan mes protestuesve, ndërsa personeli mjekësor e transportoi të moshuarën me barelë.
Pamjet e ndërhyrjes morën vëmendje ndërkombëtare dhe nxitën mobilizimin e organizatave që kundërshtojnë rritjen e çmimeve të qirave në Spanjë.
Pas vdekjes së Abascal, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin Puerta del Sol të Madridit për të kërkuar masa kundër krizës së strehimit. Protestuesit marshuan më pas drejt Kongresit të Deputetëve.
Sindikata e Qiramarrësve, e cila e kishte mbështetur gjatë procesit për të shmangur dëbimin, kritikoi mënyrën se si autoritetet trajtuan rastin. Organizata argumentoi se largimi i saj nga banesa mund të ishte shmangur dhe se marrëveshja për rikthimin erdhi tepër vonë.
Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi pas njoftimit të vdekjes, duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe personat që kishin mbështetur 87-vjeçaren.
Rasti i Maricarmen Abascal u bë pjesë e debatit publik në Spanjë për mbrojtjen e qiramarrësve, rritjen e kostove të banimit dhe pasojat e dëbimeve për qytetarët në kushte të vështira ekonomike dhe shëndetësore.









