E reja angleze u gjet pa shenja jete në apartamentin e saj në lagjen nr. 1 të Durrësit, ndërsa pranë saj ndodhej fëmija 2-vjeçar, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore. Në banesë janë gjetur edhe disa medikamente, ndërsa policia po heton për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në Durrës, ku një 25-vjeçare me shtetësi angleze është gjetur pa shenja jete në banesën ku qëndronte. Në të njëjtin apartament ndodhej edhe fëmija i saj, rreth 2 vjeç, i cili fatmirësisht është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas informacionit të policisë, ngjarja është konstatuar rreth orës 12:50, në lagjen nr. 1 të Durrësit. Shërbimi i Urgjencës ka gjetur të pajetë shtetasen me inicialet E. S., 25 vjeçe.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa rrethanat dhe shkaku i vdekjes mbeten ende të paqarta. Mediat lokale raportojnë se në banesë, pranë 25-vjeçares, janë konstatuar edhe disa medikamente, një detaj që pritet të jetë pjesë e verifikimeve të grupit hetimor.
Fëmija 2-vjeçar është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk raportohet të ketë pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë mbërritur grupi hetimor dhe shërbimet përkatëse, të cilat po kryejnë veprimet e nevojshme për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
Hetuesit po verifikojnë të gjitha rrethanat, përfshirë gjendjen e banesës, sendet e gjetura aty dhe të dhënat mjekësore të 25-vjeçares. Pritet gjithashtu ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka një konkluzion zyrtar mbi mënyrën se si ka humbur jetën e reja angleze.









