Të plagosurit në protestë, asnjë i intubuar dhe humbje jete

Facebook
WhatsApp

Gjatë protestës së djeshme u lënduan edhe gazetarë që po raportonin nga vendngjarja. Në përfundim, bilanci ishte 40 persona të arrestuar, disa qytetarë të plagosur të dërguar te Trauma dhe pesë efektivë të pezulluar.

Shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma ka deklaruar se nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete. Dëmtimin më të rëndë e ka pësuar 19-vjeçari me këmbën e thyer.

“Gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete”, tha Suma.

Sipas tij i riu ka mbërritur në gjendje stabël në spital. “Nga ana e 127 është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar. Ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi”, vijoi shefi i Urgjencës.

Mjeku dha detaje edhe për përfaqësuesin e trupit diplomatik austriak, i cili gjithashtu pësoi lëndime gjatë protestës.

“Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi”, tha mjeku. Pas ngjarjeve gjatë protestës, ku ndaj protestuesve u ushtrua dhunë nga forcat e policisë, pesë efektivë u pezulluan nga detyra.

Tensionet nisën që në pjesën e parë të tubimit, kur protestuesit hodhën vezë dhe përdorën sprej ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit. Më pas situata u përshkallëzua, ndërsa u shkulën kangjella dhe u përdorën gurë, tulla dhe sende të tjera të forta.

Pas 60 minutash policia ndërhyri me gaz lotsjellës, disa autobote me ujë dhe shkopinj gome. Gjatë ndërhyrjes pati edhe përplasje fizike mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Për më shumë se tetë orë, protesta u zhvendos në disa pika të kryeqytetit, mes gurëve, flakëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë të cilat nisën pranë Ministrisë së Arsimit, vijuan për disa orë në Rrugën e Durrësit, ndërsa në mbrëmje një pjesë e protestuesve hynë në katin e parë të Bashkisë së Tiranës. Gjatë protestës u lënduan edhe gazetare që po raportonin nga vendngjarja. Në përfundim, bilanci ishte 40 persona të arrestuar, disa qytetarë të plagosur të dërguar te Trauma dhe pesë efektivë të pezulluar.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick