Protesta dhe përplasje në disa qytete të vendit

Facebook
WhatsApp

Studentët dhe gjimnazistët bojkotojnë mësimin dhe protestojnë në disa qytete të vendit. Në Tiranë, tubimet shoqërohen me përplasje me policinë, gaz lotsjellës, bllokime rrugësh dhe dëmtime të godinave, ndërsa në Elbasan raportohet shoqërimi i një nxënësi 15-vjeçar.

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve vijojnë për të tretën ditë radhazi në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, të shoqëruara me bojkot të mësimit, tensione dhe përplasje me policinë. Të rinjtë kanë braktisur auditorët dhe klasat, duke marshuar drejt institucioneve shtetërore, ndërsa në kryeqytet një numër i madh protestuesish janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.

Ndryshe nga dita e mëparshme, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për shpërndarjen e protestuesve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Situata është tensionuar edhe pranë Kuvendit dhe në rrugën e Dibrës, ku janë raportuar kaos dhe bllokime të qarkullimit. Gjatë marshimit, një pjesë e protestuesve kanë mbërritur edhe pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku janë thyer xhamat e godinës.

Protestat dhe bojkoti i mësimit nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë, por janë përhapur edhe në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Durrës, ku studentët dhe gjimnazistët kanë dalë në rrugë për t’iu bashkuar tubimeve. Ndërkohë, raportohet se në disa gjimnaze të kryeqytetit nxënësit janë penguar të dalin nga ambientet e shkollave.

Një tjetër episod që ka tërhequr vëmendjen është shoqërimi i një nxënësi 15-vjeçar të gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan, i cili shfaqet në një video teksa shoqërohet nga një polic dhe një person civil që, sipas pamjeve, mban një armë në brez. Në video, i mituri dëgjohet duke kërkuar ndihmë, ndërsa gazetarët i kërkojnë punonjësit të policisë ta lirojë, duke theksuar se bëhet fjalë për një minoren.

Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa protestat, bojkotet dhe përplasjet me forcat e rendit shënojnë zhvillimet kryesore të ditës në disa qytete të vendit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick