Mehmeti kritikoi gjithashtu qeverinë për mosrealizimin e angazhimeve ndaj studentëve, duke përmendur bibliotekën elektronike, kampusin, plagjiaturën, renditjen e programeve të studimit dhe përmirësimin e kushteve universitare.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, duke kritikuar reagimin e institucioneve ndaj të rinjve, tha se Mirela Kumbaro duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas dhunës ndaj studentëve që protestojnë para Ministrisë së Arsimit.
Sipas tij, studentët janë braktisur nga ata që duhej t’i mbronin dhe janë dhunuar para institucionit që duhet të përfaqësojë interesat e tyre.
“Janë braktisur nga ata që duhet ti kishin mbrojtur, janë rrahur te kangjellat para shtëpisë së tyre, janë dhunuar para shtëpisë së tyre, se MAS është shtëpia e tyre. Ndërkohë që në katin e dytë rri një ish-pedagoge dhe ish-përkthyese që nëse do kishte ndodhur kjo me të rinjtë unë në vendin e saj do kisha dhënë dorëheqjen”, tha ai.
I pyetur nëse priste një dorëheqje, Mehmeti u përgjigj: Jo kurrë se nuk ka ndjeshmëri. Ai theksoi se informacionet që vijnë nga terreni duhet të verifikohen dhe të mbështeten në prova, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e trajtimit të protestuesve në mënyrë arbitrare.
Mehmeti kritikoi gjithashtu qeverinë për mosrealizimin e angazhimeve ndaj studentëve, duke përmendur bibliotekën elektronike, kampusin, plagjiaturën, renditjen e programeve të studimit dhe përmirësimin e kushteve universitare.
“Kanë dalë në protestë. Ata nuk kanë dalë me synimin që të vrasin dikë apo të gjuajnë dikë, por ti i ke vënë me shpatulla pas murit”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje kryeministrit të japë llogari për premtimet e pambajtura.
Për thirrjen e presidentit Bajram Begaj për dialog, ai tha se roli i kreut të shtetit është i kufizuar dhe se ndërhyrja e tij nuk ka sjellë rezultat për studentët e Mjekësisë.
“Po nuk ka ç’ bën president. Presidenti është thjesht është një këshillues. Kush i thotë? Presidenti kishte në dorë të mos dekretonte të mjekësisë, që ja rrëzoi Gjykata Kushtetuese. E dekretoi”.- u shpreh ai për A2CNN.









