Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të përplasjeve në ditën e gjashtë të protestave, të cilat gjatë orëve të fundit janë shtrirë në disa zona të kryeqytetit.
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës është zhvendosur pasdite në Rrugën “Mine Peza” në Tiranë, ku demonstruesit kanë sulmuar me koktej Molotov godinën e Komisariatit Nr. 3.
Gjatë sulmit, protestuesit kanë hedhur një koktej Molotov në katin e parë të komisariatit, duke shkaktuar zjarr në këtë pjesë të ndërtesës.
Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të përplasjeve në ditën e gjashtë të protestave, të cilat gjatë orëve të fundit janë shtrirë në disa zona të kryeqytetit.
Më herët, përplasje të forta u regjistruan në Sheshin Skënderbej, ku policia ndërhyri me automjete ujëhedhëse për të shpërndarë demonstruesit. Disa të rinj hodhën koktej Molotov në drejtim të automjeteve dhe tentuan të ngjiteshin mbi to.
Tensionet përfshinë gjithashtu zonën përpara Ministrisë së Brendshme dhe Bllokun e Ministrive, ku protestuesit u përplasën me forcat e rendit duke hedhur molotovë, gurë dhe mjete tymuese, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës.
Pas lëvizjeve të vazhdueshme nëpër rrugët e Tiranës, një pjesë e turmës është drejtuar drejt Rrugës “Mine Peza”, ku sulmi ndaj Komisariatit Nr. 3 ka shkaktuar zjarr në katin e parë. Mësohet se janë dëmtuar disa efektivë policie.
Sulmi ndaj komisariatit vjen ndërsa protesta kundër qeverisë Rama vijon me përplasje në disa pika të kryeqytetit dhe me kërkesën e demonstruesve për dorëheqjen e kryeministrit.









