Berisha ka sulmuar SPAK duke e cilësuar si organizatë të Partisë Socialiste
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shkuar sot në Prokurorinë e Posaçme, për të zbatuar masën e sigurisë të caktuar ndaj tij, “detyrim paraqitje”.
Në një deklaratë jashtë godinës, Berisha ka sulmuar SPAK duke e cilësuar si organizatë të Partisë Socialiste, ndërsa tha se për ta ligji i vendit dhe ligji ndërkombëtar për zgjedhjet nuk ekziston.
“Sot është më aktual se asnjëherë tjetër roli armiqësor i kësaj organizate të Partisë Socialiste ndaj votës së lirë të shqiptarëve dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Kjo organizatë u bë mburojë e krimeve më të shëmtuara elektorale, më të padëgjuara ndonjëherë. Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, ligji i vendit dhe ligji ndërkombëtar për zgjedhjet nuk ekziston. Për këtë organizatë të Partisë së Krimit, 54 dosje të dorëzuara vetëm për zgjedhjet e fundit janë konservuar turshi dhe i janë dhënë Partisë së Krimit.
Për këtë organizatë, organizimi nga narkoqeveria i 4530 aktiviteteve jashtë afateve ligjore për të ndikuar tek qytetarët në votën e tyre, nuk përbëjnë shkelje ligjore. Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, patronazhistët, këta terroristë politikë që mbledhin letërnjoftimet, që firmosin leje ndërtimi, firmosin certifikata pronësie, që bëjnë kërcënime monstruoze në shkëmbim të votës, nuk kryejnë krime por zbatojnë porositë e Padrinos.
Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, falja e 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata 2 ditë para votimit nuk janë krim, por janë dhuratë e Partisë së Krimit, partisë së tyre për qytetarët. Për këtë organizatë të PS, firmosja e 138 licencave për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis ndërkohë që ligji lejon vetëm 200, kanabis për votë, nuk janë krime sepse akte të Padrinos së tyre.
Për këtë organizatë, mobilizimi i karteleve të drogës, Çelajve, Troplinëve, Hakmarrjes për Drejtësi, etj, në fushatë elektoralë, për deputetët e Kodrës së Kuajve etj, nuk janë krime, por janë ndihmë për partinë e tyre. Për këtë organizatë, konstatimet e vëzhguesve ndërkombëtare se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik, dhe renditja e qarqeve ku krimi i organizuar ndikoi rezultatet, nuk përbën krim, por ndihmë për Partinë e Krimit. Për këtë organizatë, armike të pluralizmit politik, asnjë parim, asnjë ligj, nuk vlen para fitores dhe rrëmbimit të mandatit nga Padrino i tyre.”– tha Berisha.









