Një grup protestuesish kanë goditur ndërtesën me gurë, duke thyer xhamat, ndërsa më pas kanë shkatërruar derën e hekurt të hyrjes dhe kanë arritur të futen në ambientet e brendshme të institucionit.
Është përshkallëzuar gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku protestuesit kanë sulmuar godinën e Gjykatës së Apelit. Një grup protestuesish kanë goditur ndërtesën me gurë, duke thyer xhamat, ndërsa më pas kanë shkatërruar derën e hekurt të hyrjes dhe kanë arritur të futen në ambientet e brendshme të institucionit.
Situata është tensionuar pasi forcat e policisë ndërhynë për të larguar protestuesit nga ambientet përpara Ministrisë së Arsimit, ku ata ishin mbledhur për të vijuar tubimin.
Fillimisht, një pjesë e tyre ka hedhur gurë drejt fasadës së ndërtesës, duke thyer xhamat. Më pas, disa protestues janë afruar te hyrja kryesore dhe kanë ushtruar forcë mbi derën e hekurt, derisa kanë arritur ta shkatërrojnë.
Pas dëmtimit të hyrjes, një grup protestuesish ka depërtuar në ambientet e brendshme të gjykatës.
Ky nuk është incidenti i parë ndaj institucioneve të drejtësisë gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet.
Kujtojmë se disa ditë më parë, protestuesit sulmuan edhe godinën e Gjykatës së Lartë, ku gjatë incidenteve i vunë zjarrin një pjese të saj. Ngjarja u regjistrua gjatë një prej tubimeve që u shoqëruan me përplasje dhe dëmtime të pronës.
Ndërkohë, gjatë protestave janë regjistruar incidente edhe pranë institucioneve të tjera. Një ditë më parë, protestuesit goditën me gurë selinë e Partisë Socialiste në Tiranë, duke thyer xhamat e ndërtesës në dy episode të ndryshme.
Protestat po zhvillohen prej shtatë ditësh në kryeqytet, me pjesëmarrjen e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe ndryshime në sistemin arsimor.









