Pedagogët e lidhin kërkesën e tyre me atë që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie kujdestare do të krijonin kushtet për stabilitet institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Një grup prej rreth 700 pedagogësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Përmes letrës pedagogët dalin në mbështetje të studentëve që prej një jave protestojnë kundër qeverisë.
Pedagogët dënojnë dhunën ndaj studentëve, u kërkojnë forcave të rendit të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm dhe ftojnë qytetarët t’i bashkohen protestës. Ata kanë hartuar dhe nje peticion online që mund të firmoset nga të tjerë pedagogë që duan t’i bashkohen nismës.
Deklarata, e publikuar nga Forumi i Dialogut Politik, vjen pas një jave protesta të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe raportime për dhunë ndaj protestuesve.
Pedagogët e lidhin kërkesën e tyre me atë që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie kujdestare do të krijonin kushtet për stabilitet institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Në deklaratë, pedagogët u bëjnë thirrje forcave të rendit të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të mos zbatojnë urdhra që i konsiderojnë të paligjshëm. Ata paralajmërojnë se përgjegjësia për veprimet e policisë mund të mbetet mbi punonjësit që i zbatojnë, ndërsa pamjet e regjistruara nga qytetarët dhe mediat mund të shërbejnë për dokumentimin e tyre.
Pedagogët u drejtohen gjithashtu përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke kërkuar që ato të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, me të njëjtin standard që zbatohet për të drejtat e qytetarëve në vendet që përfaqësojnë.
Deklarata përmban edhe një thirrje për vetë protestuesit, të cilëve u kërkohet të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private. Sipas pedagogëve, shmangia e dëmtimit të pronës do t’i hiqte qeverisë mundësinë për ta përdorur atë si justifikim për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Tiranës, pedagogët kujtojnë lëvizjen studentore të vitit 1991 dhe u bëjnë thirrje të bashkohen me protestuesit për të parandaluar dhunën ndaj tyre.
“Ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh”, thuhet në deklaratë, ku pedagogët ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes për mbrojtjen e studentëve.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar kërkesat për dorëheqje, duke pretenduar se protestat po shfrytëzohen politikisht dhe nga faktorë të jashtëm.
Mbështetja e pedagogëve vjen në një moment kur protesta studentore është zgjeruar përtej kërkesave që lidhen me arsimin, duke u shoqëruar me pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes, korrupsionit dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë në Shqipëri.
Kryeminsitri Rama ka shprehur më herët se nuk do e japë dorëheqjen. Edhe ditën e hënë ai doli në një deklaratë gjatë një takimi me Policine e Shtetit, ku përsëriti akuzat ndaj protestueve, duke folur për protesta të nxitura nga Rusia dhe Irani.









