Rama tha se dora e tij është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai
Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish ftesë për dialog drejtuar protestuesve.
Ashtu si ditën e djeshme, ai ka vendosur karrige jashtë godinës së Kryeministrisë, duke thënë se dora e tij është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai. Më tej, kryeministri thekson se asnjë arsye nuk e justifikon dhunën, por çdo arsye është një argument më shumë për dialogun.
“Ka 1001 pakënaqësi, ka 1001 halle, ka 1001 probleme. Mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun. Me dialogun që ndajnë të njëtin ide, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme, por dhuna është e pajustifikueshme. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë, apo ata që janë të terrorizuar nën trysninë e dhunës. Distancohuni nga dhuna. Çdo dhunues do të marrë përgjigje, përgjigja nuk do të vonojë, do të jetë ligjore, financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet kur të tjetër kanë të drejtë të qëndrojnë nën qiellin e përbashkët”-, shprehet Edi Rama në videon e postuar në “Facebook”.
Edhe mëngjesin e djeshëm, jashtë godinës së Kryeministrisë u vendosën disa karrige, e mbi to një letër ku shkruhej “Dialog”. Por kur studentët dhe pedagogët u mblodhën para godinës, ata i larguan karriget dhe theksuan se nuk do të ketë asnjë dialog. a









