Sipas policisë, personat e proceduar dyshohen për disa vepra penale, përfshirë shkatërrimin e pronës me zjarr, goditjen dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë, prishjen e qetësisë publike dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve.
Dhjetë ditët e protestave në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, duke lënë qindra persona të lënduar dhe duke çuar në arrestimin e dhjetëra të tjerëve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe policia ka shoqëruar gjithsej 646 protestues, nga të cilët 283 janë arrestuar, ndërsa 363 të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Mbi 200 prej personave të shoqëruar rezultojnë të mitur.
Të gjithë personat e arrestuar kanë dalë përpara Gjykatës Penale të Tiranës për vlerësimin e masave të sigurisë. Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për tetë persona dhe “arrest në shtëpi” për tre të tjerë, ndërsa për pjesën tjetër ka caktuar masën “detyrim paraqitje”. Për të miturit është aplikuar edhe masa e mbikëqyrjes prindërore.
Sipas policisë, personat e proceduar dyshohen për disa vepra penale, përfshirë shkatërrimin e pronës me zjarr, goditjen dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë, prishjen e qetësisë publike dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të lënduarve gjatë protestave ka arritur në 320 persona. Prej tyre, 192 janë efektivë të Policisë së Shtetit, 92 protestues dhe 36 kalimtarë të rastit.
Mes personave të lënduar janë edhe gjashtë përfaqësues të medias, përfshirë një gazetar të huaj.
Sipas mjekëve, të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shumica e tyre janë larguar drejt banesave pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore.









