Sipas ish-deputetit demokrat, dy drejtuesit politikë kanë bashkëpunuar ndër vite për të mbrojtur pushtetin dhe interesat e tyre ekonomike.
Ish-deputeti Azgan Haklaj ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke pretenduar se dy liderët politikë kanë një marrëveshje të fshehtë për të marrë kontrollin e protestave studentore në Shqipëri.
Gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Haklaj u shpreh se Rama dhe Berisha po synojnë ta shfrytëzojnë pakënaqësinë e studentëve për përfitime politike. Ai u bëri thirrje të rinjve të qëndrojnë larg ndikimit të partive dhe të mos lejojnë që protesta e tyre të përdoret për interesa partiake.
Sipas ish-deputetit, dy drejtuesit politikë kanë bashkëpunuar ndër vite për të mbrojtur pushtetin dhe interesat e tyre ekonomike. Haklaj akuzoi gjithashtu opozitën se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për t’iu kundërvënë qeverisë, duke përdorur shprehjen “paradite aksion, pasdite koncesion” për të përshkruar atë që ai e konsideron një përplasje të inskenuar mes palëve.
Kritikat e tij u drejtuan edhe ndaj kryeministrit Rama, të cilin e akuzoi për hipokrizi në raport me protestuesit. Haklaj iu referua vendosjes së karrigeve për dialog përpara Kryeministrisë, duke e vënë këtë veprim përballë vendimit të qeverisë për të shpërblyer financiarisht punonjësit e policisë.
Ish-deputeti ngriti gjithashtu pretendime për praninë e personave të infiltruar në protestat studentore, të cilët, sipas tij, kanë nxitur aktet e dhunës. Ai pretendoi se këta individë kanë lidhje me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, ndërsa theksoi se studentët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për veprime të tilla.
Në këtë kontekst, Haklaj kërkoi që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos ndikohet nga asnjë forcë politike.
Në përfundim, ish-deputeti kërkoi dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie teknike dhe hartimin e një kodi të ri zgjedhor.
Ai u bëri thirrje studentëve të vijojnë protestat në mënyrë të pavarur dhe të mos lejojnë që lëvizja e tyre të merret nën kontroll apo të përvetësohet politikisht nga Sali Berisha.
“Shohim një hipokrizi të kryeministrit Edi Rama. Nga njëra anë vendos karriget për dialog dhe nga ana tjetër shpërblen policët me 2500 euro për të rrahur protestuesit. Ka një marrëveshje të qartë të Berishës me Ramën. Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën me mbështetjen e Ramës, që zgjidhja të jetë mes atyre të dyve. Zgjidhja është vetëm dorëzimi pa kushte i Edi Ramës dhe një qeveri teknike me një kod të ri zgjedhor. Ku ishte opozita? Çfarë aksioni ka bërë? Ka bërë aksion të maskuar: paradite aksion, pasdite koncesion.
Aleanca e kullave është bashkë. Rama dhe Berisha janë bashkë. Ata janë bashkë. Janë autorët e konstruktimit të republikës së korrupsionit. Dyshja Rama-Berisha, binomi Rama-Berisha, në vijimësi kanë bashkëpunuar. Kanë burgosur votën e lirë dhe sot duhet të çburgoset vota e lirë, gur themeli i institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Marrëveshja e palëve ka qenë kundër SPAK-ut, i cili është investim i ndërkombëtarëve. E votuan me imponim 140 deputetët SPAK-un dhe kanë bërë marrëveshje për ta goditur atë. Nuk pranuan heqjen e imunitetit të Ballukut. Është e gjithë qeveria nën akuzë. Kryetarë bashkish nën akuzë. Janë 31 deputetë pa certifikatë sigurie në Parlament. Kjo është e rëndë. Nuk kanë reshtur duke na prekur në sedër me patriotizëm. Patriotizmi nuk është ndaj qeverisë, por ndaj atdheut. Kemi parë Berishën duke thënë që do ta rrëzojë Ramën me çdo kusht. Ndjekim vetëm dy momente: selinë e PS-së dhe selinë e PD-së.
Bëjmë një krahasim me goditjen e selisë së PD-së në vitin 2022. Çfarë masash mori Rama? Tha se e kanë me njëri-tjetrin. Tri orë luftë atje për ta marrë me dhunë dhe, pasi nuk e mori me dhunë, ia dha vulën Sali Berishës. Prandaj rrihen studentët, se nuk ka opozitë morale. Se po të kishte, nuk do të guxonin të ngrinin dorë mbi studentët. Ndaj studentët kanë protestuar ndaj të dyja partive, këtyre që kanë mbajtur pushtetin për kaq dekada. Unë jam në mbështetje të protestës dhe kam marrë pjesë. Jam kundër akteve të dhunës, por nuk e bëjnë studentët atë. Janë njerëz të infiltruar nga PS-ja dhe PD-ja për të ushtruar dhunë. Shikoni goditjet: djegin katin e parë dhe kthehen e djegin katin e dytë apo të tretë të një ndërtese. Pastaj shkojnë te ministritë me radhë. Janë grupe të ndryshme. Shkuan te Bashkia e Tiranës, e gjetën derën hapur. Janë zinxhirët të trashë, nuk hiqen aq kollaj. Qëllimi i tyre është prishja e identitetit kriminal disavjeçar, amnistimi dhe shkuarja në një marrëveshje Rama-Berisha.
Ky binom ka rënë dhe u bëj thirrje studentëve: Përjashtojeni Sali Berishën nga protesta, sepse po përpiqet ta marrë peng protestën me ndihmën e Ramës. Protesta është thirrur nga studentët dhe diaspora. Siç kanë dhënë kontribut, do të japin kontribut sërish. PD-ja e Sali Berishës bëri një protestë me 100 veta para Parlamentit. Duke parë se nuk kanë njerëz, u futën te protestat e studentëve, që janë të pastra. Larg politika nga protestat! Nuk kanë nevojë për duar politike ato.”, tha Haklaj.









