Rikthehen përplasjet midis të rinjve dhe policisë në rrugët e Tiranës

Facebook
WhatsApp

Protesta e studentëve dhe të rinjve në Tiranë është përshkallëzuar në ditën e 12-të të mobilizimit, me përplasje fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas para Kryeministrisë. Protestuesit kanë djegur kazanë mbeturinash dhe kanë hedhur gurë e sende të forta drejt policisë, e cila ka ndërhyrë me autobotë uji dhe gaz lotsjellës. Të rinjtë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për të lënduarit apo personat e arrestuar.

Situata u tensionua pasditen e kësaj të shtune, kur studentët dhe mbështetësit e tyre u përplasën me forcat e rendit pranë Ministrisë së Arsimit. Disa protestues morën katër kazanë mbeturinash nga Rruga e Durrësit, i zhvendosën pranë hyrjes së ministrisë dhe u vunë flakën, duke i shtyrë më pas në drejtim të kordonit policor.

Gjatë përplasjeve, protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta drejt efektivëve, ndërsa u raportua edhe për përdorimin e kapsollave dhe fishekzjarrëve. Policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në Rrugën e Durrësit ishin pozicionuar dy autobotë me ujë, ndërsa numri i forcave të angazhuara ishte më i lartë se në ditët e mëparshme.

Pas ndërhyrjes së policisë, një pjesë e protestuesve u largua nga zona e Ministrisë së Arsimit dhe u drejtua drejt sheshit Skënderbej. Tensionet vijuan më pas edhe pranë Kryeministrisë, ku disa protestues hodhën gurë në drejtim të godinës, ndërsa policia vuri në lëvizje autobotët me ujë për të shpërndarë turmën.

Protesta e sotme zhvillohet në ditën e 12-të të mobilizimit të studentëve dhe qytetarëve, paralelisht me tubimin kombëtar të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, para Kryeministrisë. Mbështetës të opozitës u pozicionuan edhe në hyrje të Rrugës së Durrësit, por grupimet nuk u bashkuan plotësisht që në fillim.

Pavarësisht tensioneve, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Deri në momentin e raportimit, autoritetet nuk kishin publikuar një bilanc zyrtar për personat e lënduar, të shoqëruar apo të arrestuar gjatë përplasjeve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick