Aleksandar Vuçiç pranon humbjen e zgjedhjeve

Facebook
WhatsApp

Lista Studentore mund të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në parlamentin me 250 vende, duke kaluar pragun prej 126 mandatesh që nevojiten për shumicën parlamentare…

Kandidati i SNS-së për Kryeministër, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se lista e tij ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ndërsa Lista Studentore ka siguruar një fitore që, sipas vlerësimeve paraprake, i jep asaj shumicën në parlament.

Në një deklaratë pas zgjedhjeve, Vuçiç tha se rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar ende, por të dhënat e nxjerra nga një mostër e stratifikuar tregojnë një epërsi të qartë të Listës Studentore.

“Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje. Lista studentore e bllokadës fitoi, ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105”, deklaroi Vuçiç.

Sipas tij, përveç dy listave kryesore, në parlamentin e ri pritet të përfaqësohen edhe disa parti të pakicave kombëtare.

“Askush tjetër nuk hyri në kuvend. Përfundimisht, po, hungarezët e Vojvodinës hynë me 3 mandate, dhe me një mandat shqiptarët, dhe dua të them SDA”, u shpreh ai.

Vuçiç paraqiti gjithashtu vlerësimet paraprake për numrin e votave që kanë marrë dy listat kryesore.

“Pra, kemi diku rreth 1,720,000, po ju them bazuar në mostër, është krejtësisht e parëndësishme. Ata kanë rreth 2,200,000”, tha ai.

Sipas këtyre vlerësimeve, Lista Studentore mund të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në parlamentin me 250 vende, duke kaluar pragun prej 126 mandatesh që nevojiten për shumicën parlamentare. Nëse rezultatet zyrtare konfirmojnë shifrat e paraqitura nga Vuçiç, ato do të shënonin një ndryshim të rëndësishëm politik në Serbi, pas viteve të qeverisjes së Partisë Progresive Serbe.

Pas pranimit të humbjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Aleksandar Vuçiç deklaroi se forca e tij politike do të vazhdojë aktivitetin nga opozita dhe do të përpiqet të rikthehet në pushtet.

“Dua t’i falënderoj të gjithë njerëzit. Do të luftojmë dhe do t’u tregojmë atyre se çfarë është opozita. Jam krenar për gjithçka që kemi bërë. Sigurisht që disa biznesmenë, disa manjatë dhe disa njerëz do të na braktisin, por struktura jonë është shumë e fortë. Jemi shumë të bashkuar, të fortë dhe kemi mësuar nga opozita. Shumica prej nesh kemi kaluar më shumë kohë në opozitë sesa në qeveri”, deklaroi Vuçiç.

Ai e cilësoi rezultatin zgjedhor si përfundim të një procesi politik që, sipas tij, mori mbështetje nga faktorë të jashtëm.

“Ky ishte konfirmimi i revolucionit që ata kryen me mbështetjen e drejtpërdrejtë të vendeve të ndryshme evropiane dhe të strukturave të shtetit të thellë amerikan”, u shpreh ai.

Vuçiç pretendoi gjithashtu se forca e tij politike kishte marrë mbështetje të konsiderueshme nga votuesit jashtë Serbisë.

“Ne kemi fituar kudo, në Republikën Srpska, në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Pavarësisht kritikave ndaj kundërshtarëve politikë, Vuçiç deklaroi se e përgëzon Listën Studentore për rezultatin, megjithëse e akuzoi atë se ka vepruar në interes të faktorëve të tjerë.

“E di që është e vështirë për shumë njerëz sonte. Dua vetëm t’ju them se, ndryshe nga ata, i përgëzoj, edhe pse janë vetëm zbatues të punës së ndyrë, të projektuar nga dikush tjetër për të rrëzuar një vend sovran. Për një moment ia dolët. Për sa kohë? Do ta shohim. E kam parë si këtë, ashtu edhe vitin 2000”, deklaroi Vuçiç, duke iu referuar vitit kur Slobodan Millosheviçi humbi pushtetin.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, një qeveri e re e drejtuar nga kundërshtarët politikë do të ndryshojë qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë.

“Deri në mars ose prill do të keni vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Ata do të bëjnë gjithçka që nuk donin t’ju thoshin, gjithçka për të cilën gënjyen, sepse, e përsëris, ata janë thjesht zbatues dhe asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick