Sipas kreut të grupit parlamentar, pavarësisht premtimeve për ulje taksash, projektbuxheti parashikon rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset.
Partia Demokratike është deklaruar kundër projekt-buxhetit të propozuar nga qeveria, për vitin 2027.
Vendimi është bërë i ditur nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se pr.buxheti nuk sjell përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, por favorizon korrupsionin dhe interesat klienteliste.
Në një deklaratë publike, Bardhi kundërshtoi politikat fiskale të parashikuara nga qeveria, duke pretenduar se, pavarësisht premtimeve për ulje taksash, projektbuxheti parashikon rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset.
“Është një manovër diabolike që bën sikur ul taksat dhe bën sikur shpërndan mirëqenie, por realisht i rrit taksat dhe në fund, nuk lë më shumë para në xhepat e shqiptarëve.
Shqiptarët nuk marrin më shumë para nga puna e tyre, sepse thelbi i këtij buxheti nuk është sa para do t’i mblidhen shqiptarëve: 8, 9 apo 10 miliardë. Thelbi është kush do t’i shpenzojë këto para dhe në xhepat e kujt do të përfundojnë.
Për të ulur ndjesinë e alarmit tek njerëzit, Edi Rama e ka projektuar këtë buxhet me qëllimin diabolik për të korruptuar qytetarët me iluzionin e mirëqenies dhe idenë false të uljes së kostos së jetesës. Buxheti i Edi Ramës me një dorë jep pak, me tjetrën merr akoma më shumë.
Ai premton uljen e kostos së jetesës nga ulja e TVSH-së për disa ushqime, por rrit TVSH-në e përgjithshme në 21%, niveli më i lartë i propozuar ndonjëherë në Shqipëri. Me një lëvizje gjysmake dhe mashtruese, Edi Rama, nga njëra anë heq taksën e qarkullimit nga çmimi i karburantit në pompë, por nga ana tjetër bën tre rritje taksash. Dyfishon taksën e qarkullimit, rrit në 21 për qind TVSH-në e karburanteve dhe vendos taksë të re për makinat elektrike.
Qershia mbi tortë e këtij buxheti diabolik që jep pak me një dorë dhe merr shumë me dorën tjetër të korruptuar të Edi Ramës, është futja në skemën e TVSH-së e bizneseve me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, përfshirë mijëra biznese të vogla dhe profesionistë të lirë. Një masë që edhe sipas Bankës së Shqipërisë, do të përkthehet në çmime më të larta shërbimesh për qytetarët.
Por sa diabolik duhet të jesh që ta paraqesësh bonusin mujor të pensionistëve si rritje pensioni?
Bonusi është vetëm një ndihmë e vogël, jo rritje e pensionit, siç e propagandon Edi Rama. Duke e mbajtur bonusin jashtë pensionit bazë, qeveria u jep pensionistëve disa para më shumë sot, por i privon ata nga një pension më i lartë dhe nga përfitimet që do të sillnin rritjet e ardhshme.
Buxheti 2027 nuk është më i mirë për shqiptarët, sepse qeveria vazhdon të mbajë në këmbë të njëjtin model ekonomik, që ngre kulla, por nuk hap fabrika. Që fuqizon ndërtimin, por dobëson bujqësinë dhe industrinë prodhuese. Një model ekonomik ku pushteti politik përcakton kush përfiton, ndërsa korrupsioni dhe lidhjet klienteliste pengojnë konkurrencën e ndershme. Një model që nuk u jep të rinjve arsye të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, që nuk e mbështet ekonominë te prodhimi, puna dhe konkurrenca e ndershme.
Shqipëria ka nevojë për bujqësi që prodhon, për industri që përpunon, për fabrika që hapin vende pune dhe për produkte shqiptare që konkurrojnë në tregjet e huaja. Por Edi Rama me buxhetin 2027 nuk e vendos këtë ekonomi në qendër të zhvillimit.”- tha Bardhi.









