Refuzohet shtyrja, gjyqi ndaj Veliajt vazhdon pa praninë e tij

Facebook
WhatsApp

SPAK Prokurori solli gjithashtu në vëmendje kërkesën që Veliaj i kishte drejtuar SPAK-ut për t’u lejuar të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke vënë në dyshim pretendimin e tij për pamundësi fizike për t’u paraqitur në gjykatë.

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shtyrjen e seancës gjyqësore, duke vendosur vijimin e procesit pa praninë e tij.

Vendimi erdhi pasi trupi gjykues shqyrtoi pretendimet e Veliajt për gjendjen shëndetësore, mungesën e dokumentacionit mjekësor dhe nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale.

Përmes një letre drejtuar gjykatës, Veliaj kishte kërkuar shtyrjen e seancës, duke pretenduar se prej 10 ditësh kërkonte dokumentacionin mjekësor, por nuk kishte marrë asnjë shpjegim. Sipas tij, kjo situatë e pengonte të merrte pjesë në gjykim.

Gjatë seancës, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se Prokuroria nuk dispononte asnjë relacion nga mjeku i burgut që të përshkruante gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.

Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi qëndrimin e Prokurorisë, duke këmbëngulur se SPAK ishte në dijeni të problemeve shëndetësore të klientit të tij.

Ndreca sqaroi gjithashtu se kërkesat e mëparshme të Veliajt për pjesëmarrje fizike ose përmes videokonferencës ishin paraqitur përpara situatës aktuale shëndetësore.

Por argumentet e mbrojtjes nuk e bindën trupin gjykues. Pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO vlerësoi se Veliaj nuk kishte provuar pamundësinë për të marrë pjesë në seancë.

Gjatë seancës, prokurori Ols Dado pranoi se Veliaj ka probleme shëndetësore, por theksoi se, bazuar në informacionet mjekësore të paraqitura, gjendja e tij nuk është e tillë që ta pengojë të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

Dado iu referua dokumentacionit të Spitalit Memorial të Fierit dhe vlerësimit të një mjeku turk, duke argumentuar se nuk rezulton një situatë emergjente shëndetësore.

Prokurori solli gjithashtu në vëmendje kërkesën që Veliaj i kishte drejtuar SPAK-ut për t’u lejuar të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke vënë në dyshim pretendimin e tij për pamundësi fizike për t’u paraqitur në gjykatë.

“Informacioni i sjell nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk, paraqet situatën e Veliajt, që nuk ka gjendje emergjente. Avokati sjell informacione të njëanshme. DPB ka zbatuar korrekt procedurat dhe ndjekur strikt rregulloren. Di që ka patur komunikim mes mbrojtjes dhe burgjeve.

Gjendja që përcakton mjeku turk nuk pamundëson ardhjen në gjyq, për më tepër i pandehuri kërkoi leje nga SPAK të merrte pjesë në evente, ndërsa në gjyq thotë jam në pamundësi të vij”, deklaroi Dado.

“Pas deklaratës së të pandehurit, gjykata konstaton se pretendimi i të pandehurit mbetet i paprovuar. Gjykata vendos të vijojë këtë seancë pa praninë e tij”, deklaroi trupi gjykues.

Me këtë vendim, GJKKO nuk pranoi që pretendimet shëndetësore, pa prova të mjaftueshme, të shërbenin si bazë për shtyrjen e seancës.

Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës vijon pa praninë e tij, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar qëndrimin e Prokurorisë lidhur me dokumentacionin mjekësor.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick