Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët kanë vijuar protestat
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot thirrjen për dialog, drejtuar protestuesve. Para godinës së Kryeministrisë, sot qëndron sërish tryeza prej guri me fletët që shkruajnë dialog sipër saj, por nga ana tjetër, mungojnë karriget.
Ky ndryshim vjen pasi gjqatë tubimeve të ditëve të fundit, protestuesitu kanë vënë flakën karrigeve të dialogut dhe kanë rrokullisur gurët e vendosur nga kryeministri, duke shprehur në këtë mënyrë refuzimin e tyre për t’u ulur në bisedime. Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët kanë vijuar të këmbëngulin në kërkesën për largimin e tij nga posti i kryeministrit.
Prej 13 ditësh, studentët kanë zhvilluar protesta të dhunshme, me përplasje të ashpra me policinë, ndryshe nga tubimet e “Revolucionit Flamingo”, që ishin paqësore. Gjatë protestave, janë sulmuar biznese private, institucione financiare dhe zyrtat e institucioneve shtetërore. Po ashtu, ka patur të lënduar nga ana e protestuesve dhe policisë, e shumë të shoqëruar për akte dhune.
Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama prezantoi disa ndryshime ligjore kundër “dhunës dhe anarkisë urbane”, siç e quan ai.
Rama prezantoi gjashtë pikat e kësaj pakete ligjore të cilat janë; Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël; Një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve; Disa ndryshime në ligjin për tubimet; Një regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbane; Një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve; Disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për personat që bëjnë thirrje për dhunë në rrjetet sociale, fillimisht do të kërkohet fshirja e postimit dhe do të ofrohet mbështetje psikologjike nëse është e nevojshme. Në rast refuzimi, policia mund të nisë procedimin penal sipas veprave ekzistuese. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu trajtimin si vepër penale të fshehjes së identitetit gjatë tubimeve, sipas modelit francez.
Për mosbindje ndaj policisë parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa për pjesëmarrje në tubim pas urdhrit për shpërndarje gjoba shkon në 500 mijë lekë. Bllokimi i qarkullimit do të ndëshkohet me 5 mijë lekë gjobë për çdo pjesëmarrës.









