Rama refuzon dorëheqjen, por ofron 100 milionë euro për studentët

Facebook
WhatsApp

Pas dy javësh protestash studentore dhe thirrjesh për dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka prezantuar masa të reja ekonomike dhe mbështetje shtesë për studentët, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e largimit nga detyra. Ai i ka cilësuar të papranueshme bojkotin e mësimit dhe aktet e dhunës, duke këmbëngulur se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj protestave studentore me një mesazh ku ndërthuri prezantimin e paketës së re fiskale me mbrojtjen e qëndrimit të qeverisë dhe refuzimin e kërkesave për dorëheqjen e tij. Ai deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri në ditën e fundit të mandatit që i kanë besuar qytetarët.

Rama i cilësoi protestuesit si një grup heterogjen individësh, grupesh shoqërore dhe forcash politike, të cilët, sipas tij, nuk kanë të njëjtat qëllime, por bashkohen në kërkesën për largimin e qeverisë. Ai pretendoi se protestat janë shoqëruar me akte dhune, hedhje gurësh, zjarrvënie dhe pengesa për lëvizjen e qytetarëve në Tiranë.

Kryeministri tha se e drejta për të protestuar nuk duhet të shndërrohet në imponim ndaj qytetarëve që duan të vijojnë jetën e tyre të përditshme. Ai kritikoi gjithashtu bojkotin e mësimit nga studentët dhe gjimnazistët, duke paralajmëruar ndërhyrje në legjislacionin përkatës.

Megjithatë, Rama u shpreh i gatshëm të diskutojë kërkesat e studentëve, duke argumentuar se thirrja për dorëheqje ka penguar, sipas tij, shqyrtimin e propozimeve të tjera. Ai i ftoi protestuesit të ulen në dialog me qeverinë.

Bursat rriten, 100 milionë euro për konviktet

Në përpjekje për të paraqitur masat konkrete për studentët, kryeministri njoftoi një mbështetje shtesë prej 15 mijë lekësh të reja për studentët nga familjet me vështirësi ekonomike. Sipas tij, kjo mbështetje do të shtrihet edhe për studentët e nivelit master.

Rama deklaroi se rreth 60 për qind e studentëve përfitojnë aktualisht një formë mbështetjeje nga shteti. Ai përmendi 4.118 studentë që marrin bursë dhe 434 studentë të shkëlqyer që, sipas tij, përfitojnë çdo muaj një bursë në masën e një page. Për rreth 27 mijë studentë të tjerë, qeveria mbulon 50 për qind të tarifës së studimit.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se janë në dispozicion 100 milionë euro për konviktet studentore, fonde që, sipas tij, janë negociuar dhe miratuar më herët. Ai ftoi studentët të diskutojnë rishikimin e paktit për universitetin, duke theksuar se është i gatshëm të dëgjojë propozimet e tyre.

Në fushën e strehimit dhe punësimit, Rama përmendi projektligjin për strehimin, që ndodhet në Kuvend, si dhe nisma të reja për praktikat profesionale. Sipas tij, synimi është që bizneset të punësojnë studentë me një pagesë të mbështetur nga skema përkatëse, në nivelin e gjysmës së pagës minimale.

Paketë fiskale në mes të krizës politike

Paralelisht me mesazhin drejtuar studentëve, Rama prezantoi paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2027, i cili, sipas tij, do të kalojë për herë të parë 10 miliardë euro. Masat përfshijnë uljen e TVSH-së nga 20 për qind në 6 për qind për 54 produkte ushqimore bazë, heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe kalimin e saj te automjetet.

Qeveria parashikon gjithashtu rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8 për qind në 15 për qind dhe taksa më të larta për apartamentet bosh, vilat në bregdet dhe makinat luksoze. Rama tha se masat synojnë të lehtësojnë kostot për familjet dhe të rishpërndajnë barrën fiskale.

Por njoftimet ekonomike nuk e ndryshuan qëndrimin e kryeministrit për kërkesën kryesore të protestuesve. Ai përjashtoi dorëheqjen dhe këmbënguli se mandati i tij do të përfundojë në afatin e përcaktuar. Mbetet për t’u parë nëse ofertat për rritjen e bursave, përmirësimin e konvikteve dhe dialogun do të mjaftojnë për të zbutur protestën, e cila vazhdon të kërkojë përgjegjësi politike nga qeveria.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick