Çmimi i naftës në Shqipëri duket se po ndryshon nga dita në ditë. Vetëm një ditë pasi Bordi i Transparencës vendosi ta rriste me 6 lekë për litër, sot ka vendosur ta ulë sërish në nivelin ku ishte dy ditë më parë. Një lëvizje që ngjan më shumë me një lojë “ping-pongu” sesa me një politikë të qëndrueshme çmimesh.
Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të shtunë, më 31 tetor, të ulë sërish çmimin e naftës, duke e rikthyer në 212 lekë për litër.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi çmimi ishte rritur me 6 lekë, duke arritur në 218 lekë për litër. Pra, brenda tri ditësh, nafta ka kushtuar 212 lekë, më pas 218 lekë dhe tani rikthehet sërish në 212 lekë.
Një luhatje që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si përcaktohen çmimet dhe arsyet e ndryshimeve kaq të shpeshta, ndërsa drejtuesit e automjeteve duhet të ndjekin pothuajse çdo ditë vendimet e Bordit për të mësuar sa do të paguajnë në pikat e karburantit.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës do të jetë 212 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 200 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 179 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 167 lekësh për litër në shitjen me shumicë.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 31 tetor, në orën 12:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve se zbatimi i çmimeve të përcaktuara është i detyrueshëm, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Megjithatë, ajo që mbetet për t’u parë është se sa do të zgjasë këtë herë çmimi prej 212 lekësh për litër, pasi vendimet e fundit kanë treguar se një rritje apo ulje mund të zgjasë vetëm 24 orë.
Për momentin, nafta është rikthyer aty ku ishte dy ditë më parë. Pas tri ditësh ndryshimesh, konsumatorët janë sërish në pikën e nisjes, ndërsa Bordi vijon lojën e tij të “ping-pongut” me çmimet.
Njoftimi i Bordi i Transparencës:
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 31 Tetor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 212 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 179 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 31 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.









