Kreu i opozitës, Sali Berisha i është shmangur sërish tubimit dhe ka vendosur të mos dalë në shesh
Protesta Kombëtare e nisur prej orës 12:00 po zhvillohet në dy grupime të ndryshme.
Teksa studentët janë grumbulluar para godinës së Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit, ashtu siç ishte paralajmëruar, deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike janë vendosur para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ajo që bie në sy, është se kreu i opozitës, Sali Berisha i është shmangur sërish tubimit dhe ka vendosur të mos dalë në shesh, krah Flamur Nokës, Belind Këlliçit, Agron Gjekmarkajt, Klevis Balliut dhe të tjerë demokratëve. Edhe në protestën e 24 tetorit ai nuk mori pjesë në terren, pavarësisht se më herët kishte bërë disa deklarata mbështetëse dhe thirrje për pjesëmarrje masive.
Mbetet për t’u parë nëse studentët do bashkohen me PD-në, pasi në orën 14:00 ata kanë paralajmëruar se do e zhvendosin tubimin para Kryeministrisë.
Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta dhe nëse do të ketë përplasje me policinë. Në protestat e mëparshme janë regjistruar disa incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Tubimi i fundit kombëtar u zhvillua më 24 tetor, ku pati përplasje të ashpra mes policisë dhe protestuesve.









