Mbi 2 mijë policë në terren për protestën! Qytetarët nën vëzhgim

Facebook
WhatsApp

Përveç pranisë së shtuar policore, protestuesit do të monitorohen edhe përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë dhe dronëve

Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme në Tiranë. Efektivët e policisë janë angazhuar kryesisht pranë godinave të institucioneve shtetërore, ndersa Ministria e Arsimit është e rrethuar nga uniformat blu.

Në gatishmëri janë edhe autobotët me ujë me presion, si dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisur me mjete speciale. Në operacionin e sigurisë janë përfshirë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e situatës. Përveç pranisë së shtuar policore, protestuesit do të monitorohen edhe përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë dhe dronëve, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore.

Ditën e sotme, në orën 12:00 pritet të nisë protesta kombëtare e studentëve, para godinës së Ministrisë së Arsimit.

Në mbështetje të studentëve pritet të jenë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor. Po ashtu, ky tubim mbështetet edhe nga Partia Demokratike.

Studentët gjithashtu kanë njoftuar se në orën 14:00 do të vijojnë protestën para Kryeministrisë. Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta dhe nëse do të ketë përplasje me policinë. Në protestat e mëparshme janë regjistruar disa incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Nga ana tjetër, kujtojmë se më 28 tetor, Këshilli i Ministrave ka miratuar “Paketën kundër dhunës”, e cila u prezantua nga kryeministri Edi Rama dhe sipas tij, synon parandalimi ne akteve të dhunës gjatë protestave. Në vendim, parashikohen një sërë masash nga policia për ndalimin e tubimeve, por edhe ndëshkimesh për protestuesit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick