Përshkallëzohen tensionet në protestën e sotme në Tiranë. Protestuesit kanë rrëzuar një dron të policisë, ndërsa forcat e rendit kanë nisur një ndërhyrje të fuqishme për shpërndarjen e turmës. Katër autobote ujëhedhëse, gaz lotsjellës dhe efektivë të shumtë janë angazhuar përpara Kryeministrisë, ku situata vijon të jetë e tensionuar.
Situata përpara Kryeministrisë është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa policia ka nisur një ndërhyrje të ashpër për shpërndarjen e protestuesve. Tensionet janë shtuar pas rrëzimit të një droni të policisë nga protestuesit, ndërsa forcat e rendit kanë aktivizuar katër autobote ujëhedhëse dhe kanë përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë angazhuar efektivë të shumtë të policisë, përfshirë forcat speciale, të cilat po ndërhyjnë për të larguar protestuesit nga zona përpara godinës së qeverisë. Autobotet po hedhin ujë me presion në drejtim të turmës, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës e ka rënduar më tej situatën.
Ndërhyrja policore vjen pas disa orësh përplasjesh dhe incidentesh që kanë shoqëruar protestën e kësaj të shtune në kryeqytet. Gjatë tubimit janë hedhur molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ka bërë disa herë thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme.
Përplasjet nisën që në orët e mesditës, kur studentët u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit. Gjatë protestës, disa të rinj të maskuar u vunë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa më pas tensionet u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku situata u përshkallëzua me hedhjen e molotovëve dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.
Protesta është shoqëruar edhe me përplasje verbale mes studentëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët iu bashkuan tubimit, u përballën me kundërshtimin e një pjese të protestuesve, që kërkuan largimin e tyre dhe refuzuan përfshirjen e partive politike në revoltë.
Studentët dhe qytetarët kanë vijuar thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, duke kërkuar ndryshimin e klasës politike dhe duke theksuar karakterin e pavarur të protestës.
Ndërkohë, situata përpara Kryeministrisë mbetet e tensionuar. Katër autobotet ujëhedhëse dhe forcat e shumta policore vijojnë ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës ka shtuar përplasjet në zonë.
Ende nuk ka një bilanc të konfirmuar për persona të lënduar apo të shoqëruar gjatë ndërhyrjes së fundit policore.









