Anëtarët e Këshillit të FIFA-s do të mund të shqyrtojnë dokumentet kryesore vetëm në selinë e organizatës në Zyrih, nën kushte të rrepta konfidencialiteti. UEFA kërkon transparencë për marrëveshjen e anuluar dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj presidentit Gianni Infantino…
FIFA ka pranuar t’u japë për herë të parë anëtarëve të Këshillit të saj drejtues qasje në një pjesë të dokumenteve që lidhen me planin e diskutueshëm për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës te investitorët privatë.
Sipas Sky News, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, u ka dërguar një letër anëtarëve të Këshillit, ku i informon se do të mund të shqyrtojnë dokumentet kryesore vetëm fizikisht, në selinë e organizatës në Zyrih.
Grafström ka sqaruar se shqyrtimi do të zhvillohet sipas procedurave të rrepta për ruajtjen e konfidencialitetit. Anëtarët e Këshillit, përfshirë presidentët e gjashtë konfederatave kontinentale, kanë dy javë kohë për të shprehur interesin për t’u njohur me dokumentacionin.
Vendimi vjen pas kërkesave të UEFA-s për transparencë lidhur me projektin e anuluar FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes të cilit FIFA synonte t’u shiste investitorëve privatë 20% të të drejtave tregtare të kompeticioneve të saj, përfshirë Kupën e Botës.
UEFA pretendon se negociatat u zhvilluan pa konsultimet e nevojshme me organet drejtuese të FIFA-s dhe ka ngritur dyshime për mënyrën e vlerësimit financiar të marrëveshjes, si edhe për përfitime të mundshme personale të Infantinos.
Organizata evropiane ka ndërmarrë gjithashtu veprime ligjore në Shtetet e Bashkuara për të siguruar dokumente që mund të shërbejnë në një procedim të mundshëm penal në Zvicër për keqadministrim financiar.
FIFA, nga ana tjetër, e ka akuzuar UEFA-n për ushtrim presioni dhe për përhapje të informacioneve të pasakta. Sipas Sky News, organizata botërore e futbollit po e përdor ekzistencën e veprimeve ligjore si argument për kufizimin e dokumenteve që mund të vërë në dispozicion.
Në letrën e tij, Grafström konfirmon se FIFA po përgatit përgjigjet ndaj pyetjeve të UEFA-s dhe se do t’ua përcjellë ato anëtarëve të Këshillit.
Ai thekson gjithashtu se tërheqja nga projekti FFE nuk i ka shkaktuar FIFA-s asnjë penalitet financiar dhe se Këshilli kishte të drejtën ta refuzonte marrëveshjen.
Përveç projektit të investimeve, UEFA kërkon sqarime edhe për konflikte të mundshme interesi që lidhen me marrëdhëniet e Infantinos me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, ndërhyrjet e pretenduara në çështje disiplinore dhe krijimin e Çmimit të Paqes të FIFA-s pa miratimin e Këshillit.
Zhvillimet vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s, të planifikuara për marsin e vitit 2027. Sipas Sky News, UEFA po shqyrton mundësinë e mbështetjes së një kandidati alternativ ndaj Infantinos.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor. Çdo kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën pesë prej 211 federatave anëtare me të drejtë vote.









