Sulmuesi i Tenerifes, ndërroi jetë pas një ataku kardiak që pësoi pas një përplasje të fortë që pati me portierin kundërshtar, Jesus Owono në ndeshjen me Andorrën.
Futbolli spanjoll është përballur me një ngjarje tragjike. Jesús de Miguel, futbollisti 30-vjeçar i Tenerife, ka ndërruar jetë në spital pas një përplasjeje me portierin kundërshtar gjatë ndeshjes kundër Andorrës, të zhvilluar të hënën.
Ngjarja ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur portieri i Andorrës, Owono, u përplas me sulmuesin e Tenerife. Pas goditjes, De Miguel u rrëzua në fushë pa ndjenja dhe pësoi arrest kardiorespirator.
Vetë klubi i Tenerifes bëri të ditur lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të sulmuesit spanjoll përmes një komunikate në rrjetet sociale.
‘Të shkatërruar nga dhimbja, me një nyjë në fyt dhe pa mundur të besojmë se kjo është e vërtetë, CD Tenerife këtë të martë, 3 nëntor ora 08:00 bën të ditur vdekjen tragjike të Jesus de Miguel Alameda’-shkruhej në postimin e klubit spanjoll-‘Nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë, nuk ka asgjë që të mund të lehtësojë këtë ndjenjë të mbushur me trishtim. Të gjithë bashkë i qëndrojmë pranë familjes dhe të dashurve të tij dhe të gjithë komunitetit futbollistik të Tenerifes që janë të trishtuar për këtë fund mizor. Familja e Jesus de Miguel falenderon të gjithë për mbështetjen e shfaqur dhe njëkohësisht kërkon respektimin maksimal të privatësisë së saj në këto momente të tmerrshme’.
Stafet mjekësore të të dyja skuadrave ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë. Më pas, ambulanca e transportoi drejt spitalit, ndërsa personeli mjekësor arriti t’i rikthente pulsin gjatë rrugës përmes manovrave të reanimacionit.
Megjithatë, gjendja e futbollistit u përkeqësua gjatë orëve të natës. Klubi i Tenerife konfirmoi mëngjesin e 3 nëntorit vdekjen e 30-vjeçarit.
Ngjarja ka hapur edhe një debat mbi ndërhyrjen e portierit Owono. Në Spanjë kanë nisur polemikat mbi përgjegjësinë e tij për përplasjen, megjithëse raportimi nuk përmend ndonjë përfundim zyrtar që përcakton fajësinë e portierit.









