Ai përfundoi në spital, pasi ishte rrëzuar aksidentalisht nga shkallët, duke marrë dëmtime të rënda. Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, Vishaj nuk ka mundur të mbijetojë.
Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj. Avokati ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit të Traumës, ku prej disa ditësh ndodhej i intubuar, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai përfundoi në spital, pasi ishte rrëzuar aksidentalisht nga shkallët, duke marrë dëmtime të rënda. Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, Vishaj nuk ka mundur të mbijetojë.
Më herët ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë pas ndërhyrjeve në Itali. Në gusht të vitit 2025, Vishaj tregoi publikisht se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar për një periudhë në gjendje kome dhe i intubuar.
Po ashtu, kohët e fundit ishte përballur dhe me divorcin nga bashkëshortja, çështje për të cilën edhe publikisht ishte shfaqur i prekur. Nga kjo martesë, ai kishte dy djem.
Vishaj kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1996, ku ishte diplomuar jurist. Ai ushtronte profesionin e avokatit që prej vitit 1998.
Një prej angazhimeve të tij kryesore ishte drejtimi i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, detyrë që e mbajti prej vitit 2009. Ai kishte gjithashtu eksperiencë si pedagog në universitete private dhe pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Vishaj ishte përfshirë edhe në grupe pune për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
Gjatë karrierës së tij, Vishaj ka përfaqësuar klientë në disa prej çështjeve të bujshme penale në vend. Ai ishte gjithashtu një zë aktiv në debatet publike për sistemin e drejtësisë dhe problematikat e gjyqësorit.









