Kryeministri u vu në vështirësi gjatë një interviste për Euronews, ku u përball me pyetje mbi dhunën policore në protesta, marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe integrimin europian. Rama mbrojti ndërhyrjet e policisë dhe ironizoi Britaninë për Brexit-in.
Kryeministri Edi Rama është përplasur me gazetaren e Euronews, Maria Tadeo, gjatë një interviste në kuadër të samitit “Euronews Enlargement Summit”, ku në qendër të diskutimit ishin protestat në Shqipëri, procesi i integrimit europian dhe marrëdhëniet me Italinë për çështjen e emigracionit.
I pyetur për përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, Rama pretendoi se efektivët e policisë kishin pësuar dyfishin e lëndimeve në krahasim me protestuesit. Sipas tij, mënyra se si ngjarjet pasqyrohen në rrjetet sociale krijon një perceptim të shtrembëruar të realitetit, duke nxjerrë në pah kryesisht pretendimet për brutalitet policor dhe duke lënë në hije dhunën ndaj uniformave blu.
Gazetarja Tadeo kundërshtoi këtë argument, duke theksuar se ekziston një dallim thelbësor mes dhunës së protestuesve dhe asaj të policisë, pasi kjo e fundit është e armatosur dhe ka përgjegjësi të veçantë në ushtrimin e forcës.
“Po më provokon që të kemi diskutim apo e ke seriozisht?”, reagoi Rama, duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me thelbin e vërejtjes së gazetares. I pyetur se kur do ta kuptojë se qeveria duhet të ndryshojë, kryeministri u përgjigj se do ta lërë detyrën kur të mendojë se ai dhe qeveria e tij nuk kanë më nevojë të ndryshojnë. “Jeta ime është ndryshim, edhe në martesë kam ndryshuar”, tha ai.
Një pjesë tjetër e intervistës iu kushtua marrëveshjes me Italinë për emigrantët, e nënshkruar me kryeministren Giorgia Meloni. I pyetur se çfarë do të ndodhë me të pas vitit 2030, veçanërisht nëse Shqipëria ndërkohë bëhet anëtare e BE-së, Rama u përgjigj me ironi, duke iu referuar Melonit si “motra ime”.
“Marrëveshja do të vijojë të jetë në fuqi deri në 2030, edhe 2050 për sa kohë aty të jetë motra ime”, deklaroi ai, duke mos përjashtuar kështu zgjatjen e bashkëpunimit me Romën.
Kryeministri komentoi edhe idenë e anëtarësimit gradual në Bashkimin Europian, duke argumentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në tryezat europiane përpara anëtarësimit të plotë, ndërsa përfitimet duhet të kushtëzohen nga përmbushja e reformave. Ai përdori një metaforë familjare, duke e cilësuar presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si “nënën” e shtatë vendeve që synojnë anëtarësimin.
Në fund, Rama rezervoi edhe një batutë për Britaninë e Madhe, duke deklaruar se duhet të rikthehet në BE, por këtë herë të presë pas Shqipërisë. Ai i inkurajoi britanikët të luftojnë krimin e organizuar dhe të “kthehen në shtëpi”, duke e cilësuar komentin si shaka.









