Ministria e Brendshme parashikon rreth 40 miliardë lekë për vitin 2027, ndërsa qeveria ka vendosur të financojë një nga rritjet më të mëdha të pagave për Policinë e Shtetit. Për inspektorët, paga për gradë do të kalojë nga 73 mijë në 93 mijë lekë, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të përkthehen fondet shtesë në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve…
Qeveria ka parashikuar 3.3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2027, duke vendosur pjesën kryesore të rritjes financiare në favor të efektivëve me gradën Inspektor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, paraqiti në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e institucionit, i cili arrin në rreth 40 miliardë lekë, ose 12% më shumë se në vitin 2026.
Sipas të dhënave të prezantuara, 8,174 efektivë me gradën Inspektor, të cilët përfaqësojnë 73% të personelit me grada në Policinë e Shtetit, do të përfitojnë një shtesë prej 20 mijë lekësh në muaj në pagën për gradë.
Kjo do të thotë se paga për gradë e një inspektori do të kalojë nga 73 mijë në 93 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, shtesa mesatare mujore do të arrijë në 23,600 lekë, ose 27% më shumë.
Për kategoritë e tjera të punonjësve, projektbuxheti parashikon gjithashtu rritje pagash. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit ka sqaruar se shtesat për gradat e tjera do të lëvizin nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë, në varësi të gradës.
Ndërkohë, sipas të dhënave të paraqitura në raportimin e Ministrisë së Brendshme, për këto kategori rritja mesatare, duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë, do të lëvizë nga 8% në 17%.
Një tjetër e dhënë që del nga prezantimi i Ministrisë së Financave është se qeveria ka parashikuar 36.7 miliardë lekë për rendin, ndërsa fondi shtesë prej 3.3 miliardë lekësh për pagat e policëve përbën një nga masat kryesore të financimit të këtij sektori.
Demo e kishte paralajmëruar rritjen e pagave që më 7 tetor, gjatë hapjes së vitit në Akademinë e Sigurisë. Në deklaratën e tij të mëvonshme, ministri e cilësoi këtë masë si një nga rritjet më të larta historike për trajtimin financiar të strukturave të Policisë së Shtetit.
Ai e lidhi shtimin e pagave me angazhimin e efektivëve në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe me rolin që Policia e Shtetit ka në mbarëvajtjen e sektorit të turizmit.
Përveç trajtimit financiar, projektbuxheti parashikon investime për modernizimin e Policisë së Shtetit, përmes teknologjisë, pajisjeve dhe përmirësimit të infrastrukturës.
Një pjesë e financimeve lidhet edhe me forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor, fushë që tashmë përfshihet në përgjegjësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Por krahas shtimit të fondeve, ministri Demo ka kërkuar edhe rritjen e përgjegjësisë së punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjatë raportimit në komision, ai e lidhi mbështetjen financiare me disiplinën, integritetin, respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.
Në këtë pikë, projektbuxheti përcakton qartë sa do të përfitojnë efektivët, por të dhënat e publikuara nuk japin tregues të detajuar për rezultatet që Ministria e Brendshme pret nga investimet dhe rritja e pagave.
Qeveria ka përcaktuar fondet për vitin 2027 dhe kategoritë që do të përfitojnë.









