Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme për rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike, teksa dyshohet për shpërthimin e bombolës së gazit.
Një person ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një apartament në qytetin e Elbasanit. Viktima është një 83-vjeçar, ndërsa tetë persona të tjerë kanë mbetur të asfiksuar dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë, duke shembur muret e apartamentit dhe një pjesë të shkallëve të pallatit.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikëset dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit.
Banorët e zonës kanë rrëfyer momentet e frikës dhe panikut që përjetuan, duke treguar se shpërthimi ishte aq i fortë sa tronditi edhe banesat përreth. Disa prej tyre e kanë krahasuar zhurmën e shpërthimit me atë të një bombe, ndërsa kanë përshkruar dëmet e mëdha që panë në ndërtesë pas ngjarjes.
“Jetoj te pallati tjetër. Ishte një shpërthim shumë i madh, si bombë. Nuk e di nëse ka të lënduar”, është shprehur i.
Një tjetër banor ka treguar se pasi dëgjoi shpërthimin, shkoi menjëherë pranë vendngjarjes, ku pa dëmet e shkaktuara në ndërtesë.
“Shtëpinë e kam këtu afër. E dëgjuam shpërthimin, ishte diçka e madhe. Erdhëm këtu dhe pamë se ajo ishte shembur. Nuk e dimë se çfarë ka qenë. Erdhi policia dhe zjarrfikëset. Ishte edhe vendi i ngushtë, ku nuk hyn dot asgjë”, ka rrëfyer ai për mediat.
Edhe banorë të tjerë kanë përshkruar frikën që përjetuan nga shpërthimi i fuqishëm. “Ishte e tmerrshme, ishte një shpërthim i fuqishëm. Nga sa shohim, dëmi është i madh. E frikshme ajo që shohim”, është shprehur një prej tyre.
“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’ Shumë e frikshme”, ka treguar një tjetër banor.
Për shkak të dëmeve të shkaktuara, autoritetet kanë evakuuar të gjithë banorët e pallatit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë vijuar punën për menaxhimin e situatës.
https://www.cdnimpuls.com/video/whatsapp-video-2026-11-04-at-15-15-38-6aeb47639a727.mp4
Ndërkohë, autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme për rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike, teksa dyshohet për shpërthimin e bombolës së gazit.









