Inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm do të pajisen me kamera inteligjente të vendosura në trup, të lidhura drejtpërdrejt me qendrën, ku do të regjistrohet në kohë reale çdo veprim gjatë ushtrimit të detyrës.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër ndryshim në mënyrën se si do të funksionojnë inspektimet në bizneset shqiptare. Së shpejti, inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm do të pajisen me kamera inteligjente të vendosura në trup, të lidhura drejtpërdrejt me qendrën, ku do të regjistrohet në kohë reale çdo veprim gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjatë një konference të organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku u prezantua qasja e re ndaj kontrolleve në biznese, Rama njoftoi se inspektorët do të lënë pas paraqitjen e zakonshme dhe do të vishen me kostum e kravatë, ndërsa kamerat do të shërbejnë edhe si mekanizëm mbikëqyrjeje për sjelljen e tyre.
“Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup, që do të jetë e lidhur me qendrën, dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale. Kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ky mekanizëm synon të vendosë nën kontroll jo vetëm mënyrën se si kryhen inspektimet, por edhe sjelljen e vetë inspektorëve, duke bërë të mundur monitorimin e tyre gjatë gjithë orarit të punës.
Por ndryshimet e paralajmëruara nuk ndalen vetëm te kamerat dhe uniformat e reja. Rama kërkoi një transformim të mënyrës se si shteti ushtron kontrollet ndaj sipërmarrjeve, duke deklaruar se koha e inspektimeve të befasishme dhe e gjobave si objektiv kryesor duhet të marrë fund.
Sipas tij, inspektorët duhet të orientohen drejt këshillimit dhe parandalimit të shkeljeve, në mënyrë që bizneset shqiptare të përgatiten për konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian.
“Adaptimi me tregun e madh dhe të egër të BE-së, ku konkurrenca është shumë herë më e madhe dhe ku lufta për mbijetesë është shumë më e sofistikuar sesa deri më sot këtu brenda kufijve të këtij tregu. Inspektimet shkojnë në këtë drejtim, instrument që duhet ta ndihmojë biznesin që të rrisë standardet dhe të përgatitet për tregun e BE-së. Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t’i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin”, u shpreh kryeministri.
Një tjetër pikë ku Rama u ndal ishte fundi i kontrolleve të befasishme, të cilat i krahasoi me aksionet policore për kapjen e grupeve kriminale. Sipas tij, bizneset nuk duhet të trajtohen si subjekte që duhen kapur në befasi, por si pjesë e ekonomisë që duhet të mbështetet dhe të zhvillohet.
“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal. Territoret ku operon sipërmarrja janë territoret ku rritet ekonomia e përbashkët”, theksoi Rama.
Mbetet për t’u parë se si do të zbatohet në praktikë kjo qasje e re dhe nëse kamerat e vendosura në trupin e inspektorëve do të shërbejnë realisht për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa bizneset presin që premtimi për më pak kontrolle të befasishme dhe më shumë këshillim të mos mbetet thjesht një deklaratë konferencash.









