Policia ka nisur një aksion të gjerë në qytetin e Vlorës, duke ngritur pika kontrolli në disa zona me qëllim evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe verifikimin e automjeteve.
Fokusi kryesor i këtij operacioni është identifikimi i drejtuesve të automjeteve që kanë gjoba të prapambetura dhe nuk i kanë shlyer ato, si dhe konstatimi i shkeljeve të Kodit Rrugor.
Në një prej pikave të kontrollit, të ngritur në hyrje të qytetit, efektivët po ndalojnë automjetet dhe po verifikojnë drejtuesit që nuk përdorin rripin e sigurimit, përdorin telefonin gjatë drejtimit të mjetit apo dyshohen për përdorim të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, kontrollet përfshijnë edhe verifikimin e automjeteve për sende të kundërligjshme që mund të gjenden në brendësi të tyre.
Sipas informacioneve, aksioni pritet të vijojë për disa ditë me radhë, ndërsa deri më tani raportohet për një numër të lartë gjobash të vendosura për parregullsi dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.









