Policia ndërhyri sot pasdite me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët përgjigjen me gurë, bomba molotov dhe mjete piroteknike. Përplasjet zhvendosen nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, ku krijohet një tjetër front konfrontimi.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë përfshirë qendrën e Tiranës, duke e kthyer protestën e kësaj të shtune në një përballje të ashpër me forcat e rendit. Pas incidenteve të para, policia ka përdorur autobotët me ujë me presion, gazin lotsjellës dhe sprajin irritues për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit kanë kundërsulmuar me gurë, bomba molotov dhe mjete piroteknike.
Tensionet e para serioze u shfaqën në zonën e Ministrisë së Arsimit, ku grupe protestuesish të maskuar nisën të qëllonin me gurë në drejtim të efektivëve. Disa prej tyre dogjën kazanë mbeturinash dhe i shtynë drejt kordonit të policisë, duke i përdorur si mjete për të penguar avancimin e forcave të rendit.
Policia reagoi fillimisht me spraj irritues dhe gaz lotsjellës, ndërsa më pas vuri në lëvizje autobotin ujëhedhës. Uji me presion u përdor drejtpërdrejt kundër grupeve që qëndronin përballë efektivëve. Në një prej momenteve të transmetuara nga mediat, një protestues i maskuar, i cili po shtynte një kazan mbeturinash drejt autobotit, u godit nga rryma e fuqishme e ujit dhe u rrëzua në tokë.
Ndërhyrja policore bëri që protestuesit të tërhiqeshin nga zona e Ministrisë së Arsimit dhe të zhvendoseshin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por largimi nga kjo zonë nuk solli qetësimin e situatës. Përkundrazi, përplasjet u intensifikuan përpara Kryeministrisë, ku u krijua një tjetër front konfrontimi.
Grupet e protestuesve të maskuar nisën të hidhnin bomba molotov dhe gurë në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe forcave të policisë. Disa prej tyre shkulën pllakat e trotuarit, thyen vazo të mëdha guri dhe grumbulluan materiale të forta për t’i përdorur gjatë përballjes. Një nga molotovët përfundoi brenda oborrit të Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë pranë autobotëve të policisë.
Efektivët ndërhynë menjëherë me ujë me presion për të shuar flakët dhe për të zmbrapsur protestuesit. Në vijim, autobotët avancuan në bulevard, duke i shtyrë demonstruesit drejt Parkut Rinia. Nga ana tjetër, protestuesit vazhduan të hidhnin fishekzjarrë, kapsolla dhe mjete piroteknike, ndërsa disa përdorën edhe lazerë të fuqishëm në drejtim të automjeteve policore.
Në disa momente, demonstruesit krijuan një front përballë forcave të rendit, duke hedhur vazhdimisht gurë dhe molotovë. Policia iu përgjigj me sasi të mëdha uji dhe gaz lotsjellës, duke ndërmarrë disa ndërhyrje për shpërndarjen e turmës.
Pamjet nga bulevardi tregojnë një skenë të rëndë, me re të dendura gazi dhe uji që mbulojnë rrugën, ndërsa protestuesit përpiqen të qëndrojnë përballë autobotëve. Në disa raste, ata janë detyruar të tërhiqen, për t’u rigrupuar më pas në pjesë të tjera të bulevardit.
Përplasjet kanë vijuar edhe pas ndërhyrjeve të përsëritura të policisë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë dëgjuar mes shpërthimeve të mjeteve piroteknike.
Deri në përditësimin e fundit të raportimeve, situata në qendër të Tiranës mbetet e tensionuar. Ende nuk ka një bilanc të plotë zyrtar për personat e plagosur apo të shoqëruar gjatë këtyre përplasjeve.









