Berisha: Incidentet në protestë nga persona të paguar nga qeveria

Facebook
WhatsApp

Kryedemokrati pretendoi se bëhej fjalë për persona të moshave të ndryshme, 30 deri në 50 vjeç, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën studentore. Sipas tij, edhe mediat pranë qeverisë ndodheshin pikërisht në vendet ku u krijuan incidentet, për t’i filmuar ato.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve mes protestuesve dhe demokratëve gjatë tubimit të së shtunës përpara Ministrisë së Arsimit, duke pretenduar se personat që shkaktuan incidentet ishin të paguar nga qeveria dhe nuk kishin lidhje me studentët.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se kishte identifikuar personat që, sipas tij, provokuan përplasjet, por tha se nuk do të publikonte emrat e tyre për të shmangur atë që e cilësoi si sulm personal.

Ai pretendoi se bëhej fjalë për persona të moshave të ndryshme, 30 deri në 50 vjeç, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën studentore. Sipas tij, edhe mediat pranë qeverisë ndodheshin pikërisht në vendet ku u krijuan incidentet, për t’i filmuar ato.

Berisha kritikoi gjithashtu disa prej personave që, sipas tij, tentuan të nxisnin përçarje brenda protestës, duke i cilësuar si “zjarrfikës të paguar profesionistë” dhe rrezik për çdo lëvizje protestuese.

Kreu i PD-së theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestën e studentëve, pavarësisht incidenteve të ndodhura, duke nënvizuar se deputetët dhe drejtuesit e saj kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në tubime.

Ai deklaroi se të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së iu përgjigjën ndër të parët thirrjes së Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Lartë për protestë, ndërsa shtoi se partia ka ofruar edhe mbështetje ligjore për mbi 600 studentë.

“Ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë”, u shpreh Berisha.

Në përfundim, ai u bëri thirrje forcave të tjera politike opozitare dhe qytetarëve që t’i bashkohen mbështetjes për studentët dhe kërkesave të tyre.

Sali Berisha, ka reaguar edhe mbi publikimin e raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të realitetit dramatik të vendit dhe një dokument që, sipas tij, nxjerr në pah dështimet e qeverisë së Edi Ramës.

Sipas tj, raporti përmban kritika të forta për procesin zgjedhor, ndërhyrjet në garën politike dhe bllokimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën për pengimin e drejtësisë në çështjen që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku.

“Raporti i Komisionit Evropian, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë”, deklaroi Berisha, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit dhe qeverisë.

Një pjesë të konsiderueshme të deklaratës, kreu i PD-së ia kushtoi prokurimeve publike, duke iu referuar shifrave të raportit për anulimin e procedurave dhe mënyrën e shpalljes së fituesve.

Sipas Berishës, 38% e procedurave të prokurimit anulohen, 25% e tenderave fitohen me vetëm një ofertë, ndërsa rreth 30% e tyre shpallen fitues me vlerën më të lartë. Ai pretendoi se këto shifra dëshmojnë për abuzime me fondet publike dhe favorizim të subjekteve të caktuara.

Në këtë kontekst, Berisha përmendi edhe emrin e Armand Frangut dhe AKSHI-n, duke ngritur akuza për përfitime nga tenderat dhe procedurat sekrete. Ai akuzoi gjithashtu familjarë të kryeministrit për lidhje me këto procedura, pa paraqitur prova të reja gjatë deklaratës.

Kreu i opozitës pretendoi se raporti i KE-së mbështet edhe shqetësimet e ngritura nga opozita për rënien e prodhimit, ligjet që favorizojnë klientelën dhe problematikat në prokurimet publike. Ai e interpretoi dokumentin gjithashtu si një mbështetje për protestat kundër qeverisë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick