Samiti i NATO-s në Tiranë rrezikon të përfundojë online

Facebook
WhatsApp

Por pikëpyetjet mbi samitin nuk kanë lindur sot. Në qershor, raportimet e medias holandeze De Telegraaf nxorën në pah probleme me mënyrën se si Shqipëria kishte llogaritur shpenzimet e mbrojtjes.

Samiti i NATO-s, i paralajmëruar për t’u zhvilluar në Shqipëri vitin e ardhshëm, rrezikon të mbetet vetëm një premtim. Aleatët e Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike po hezitojnë të konfirmojnë organizimin e takimit në Tiranë, ndërsa qeveria shqiptare ka nisur të propozojë alternativa, që shkojnë nga shtyrja e samitit deri te zhvillimi i tij në mënyrë virtuale.

Lajmi bëhet i ditur nga media ndërkombëtare “Politico”, e cila raporton se diplomatët e NATO-s e konsiderojnë gjithnjë e më pak të mundshëm zhvillimin e samitit në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm.

Përballë kësaj situate, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka pranuar se Tirana është e gatshme të diskutojë një format më fleksibël për organizimin e takimit.

Sipas “Politico”, ministri ka propozuar që samiti të shtyhet për një datë tjetër ose, nëse do të jetë e nevojshme, të organizohet edhe në mënyrë virtuale.

 “Ndërsa diplomatët e NATO-s thonë se një samit në Shqipëri vitin e ardhshëm mbetet pak i mundshëm, vendi po propozon një takim fleksibël, qoftë ky një samit i shtyrë apo edhe virtual, i tha POLITICO-s ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Drejtuesit e Aleancës kanë ngurruar të angazhohen për shkak të shpenzimeve të ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen dhe marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara me Trump”, thekson portali i njohur.

Por pikëpyetjet mbi samitin nuk kanë lindur sot. Në qershor, raportimet e medias holandeze De Telegraaf nxorën në pah probleme me mënyrën se si Shqipëria kishte llogaritur shpenzimet e mbrojtjes. Ndërsa qeveria deklaronte se kishte përmbushur objektivin prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të dhënat e rishikuara e vendosnin vendin rreth gjysmë pike përqindjeje poshtë këtij niveli.

Çështja nuk ishte thjesht një debat kontabiliteti. Për një vend që synonte të priste samitin e Aleancës, mospërmbushja e angazhimeve financiare për mbrojtjen ishte një problem politik dhe diplomatik, sidomos përballë administratës së Donald Trump, e cila ka kërkuar vazhdimisht rritjen e kontributeve ushtarake të aleatëve.

Më pas erdhën sinjalet nga Uashingtoni. Në fillim të korrikut u raportua se Shtetet e Bashkuara kishin rezerva për zhvillimin e samitit në Shqipëri, ndërsa Tirana nuk figuronte në një draft të deklaratës së NATO-s që lidhej me takimet e ardhshme të Aleancës.

Megjithatë, Rama nuk hoqi dorë nga ambicia për ta mbajtur samitin në Shqipëri.

Në fund të korrikut, Kuvendi ratifikoi një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara, në kuadër të programit amerikan të financimit ushtarak Foreign Military Financing. Fondet janë të destinuara për modernizimin dhe pajisjen e Forcave të Armatosura, jo për ceremoninë apo shpenzimet organizative të samitit.

Marrëveshja u miratua në një moment kur Shqipëria ishte nën presion për të dëshmuar se po merrte seriozisht detyrimet e saj ndaj NATO-s. Por as ky angazhim financiar nuk ka mjaftuar për të shuar rezervat mbi mbajtjen e samitit në Tiranë.

Tani qeveria ka kaluar te një tjetër formulë. Në vend të një date të sigurt dhe një samiti me liderët e Aleancës të pranishëm në Shqipëri, ajo po ofron shtyrje ose format virtual.

Ironia është se Rama kërkon të ruajë me çdo kusht një ngjarje që e ka investuar si rekord politik, edhe nëse prej saj mbetet vetëm emri i Tiranës si organizatore. Samiti që duhej të ishte demonstrim i peshës ndërkombëtare të qeverisë shqiptare mund të përfundojë në një videokonferencë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick