Çfarë po e fundos vërtet Euron? Nga 139 në 90 lekë në 10 vjet

Facebook
WhatsApp

Euro po shkon sërish drejt minimumit historik, duke vijuar një rënie të gjatë përballë Lekut. Por pas humbjes së afro 50 lekëve në një dekadë, mbeten ende pikëpyetje se çfarë po e shtyn realisht këtë zhvlerësim

Euro po i afrohet sërish minimumit historik në tregun vendas, duke vijuar rënien edhe në muajin nëntor, ndonëse sezoni turistik ka përfunduar prej javësh. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 90.72 lekë, vetëm 0.08 lekë larg rekordit historik prej 90.64 lekësh të regjistruar më 22 tetor.

Nëse krahasohet me fillimin e vitit 2016, kur euro arriti në 139.48 lekë, monedha europiane ka humbur 48.76 lekë, ose rreth 35% të vlerës së saj kundrejt Lekut. Kjo do të thotë se 1 mijë euro, që një dekadë më parë këmbeheshin me rreth 139.5 mijë lekë, sot vlejnë vetëm 90.7 mijë lekë.

Për vite me radhë, institucionet kanë argumentuar se forcimi i Lekut është nxitur nga rritja e turizmit, investimet e huaja dhe përmirësimi i treguesve ekonomikë. Megjithatë, kur analizohen të dhënat përgjatë gjithë dekadës, del se turizmi nuk e shpjegon i vetëm këtë zhvillim.

Në fakt, gjatë viteve 2016–2022, Shqipëria ende nuk kishte hyrë në bumin aktual turistik. Megjithatë, euro ishte në rënie të vazhdueshme. Të dhënat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë kësaj periudhe deficiti i llogarisë korente u përkeqësua, kryesisht për shkak të zgjerimit të deficitit tregtar. Në vitin 2022, daljet neto të valutës arritën në rreth 1.1 miliardë euro, ose 37% më shumë se në vitin 2016. Në teori, një zhvillim i tillë duhet të ushtronte presion për dobësimin e Lekut. Por ndodhi e kundërta: euro vazhdoi të humbiste vlerë.

Kjo është arsyeja pse vetëm turizmi nuk mjafton për të shpjeguar ecurinë e kursit të këmbimit.

Kur krahasohen të dhënat e kursit të euros me zhvillimet në sektorin e ndërtimit, rezulton një lidhje shumë më e fortë. Sipas INSTAT, gjatë viteve 2021–2024 sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivele rekord, nga 2.1 deri në 2.7 milionë metra katrorë në vit. Pikërisht në këtë periudhë euro vijoi rënien e saj më të fortë, duke kaluar nga mesatarisht 119 lekë në vitin 2022 në vetëm 100.7 lekë në vitin 2024.

Kjo nuk provon domosdoshmërisht një marrëdhënie shkak-pasojë, por tregon se zhvlerësimi i euros ka ndjekur shumë më afër ritmin e bumit të ndërtimit sesa atë të turizmit. Sektori i ndërtimit kërkon flukse të mëdha kapitali dhe valutash, një pjesë e të cilave nuk pasqyrohen drejtpërdrejt në statistikat tradicionale të bilancit të pagesave. Për këtë arsye, shumë ekonomistë kanë ngritur prej vitesh pikëpyetje nëse hyrjet reale të euros në ekonomi janë më të mëdha sesa ato që reflektojnë statistikat zyrtare.

Vetëm nga viti 2023 turizmi nisi të shfaqej qartë në bilancin e pagesave. Deficiti i llogarisë korente zbriti në 374 milionë euro, duke reflektuar hyrje më të mëdha valutore nga vizitorët e huaj. Megjithatë, në vitin 2024 deficiti u zgjerua sërish në 610 milionë euro, ndërsa euro humbi edhe 8% të vlerës ndaj Lekut. Vetëm në vitin 2025, kur deficiti u ngushtua në 178 milionë euro, ndikimi i turizmit u bë më i dukshëm në mbështetjen e monedhës vendase.

Për eksportuesit dhe bizneset që arkëtojnë në euro, kjo rënie ka qenë një goditje e fortë. Të ardhurat e tyre të konvertuara në Lek janë tkurrur ndjeshëm, ndërsa kostot e brendshme, veçanërisht pagat, kanë vijuar të rriten. Në të njëjtën kohë, konsumatorët shqiptarë nuk kanë përfituar në të njëjtën masë nga zhvlerësimi i euros, pasi ulja e kostos së importeve nuk është reflektuar plotësisht në çmimet e mallrave.

Dhjetë vjet pas fillimit të këtij trendi, përgjigjja ndaj pyetjes se çfarë po e fundos vërtet euron duket më komplekse sesa shpjegimi me turizmin. Të dhënat sugjerojnë se forcimi i Lekut ka qenë rezultat i një kombinimi faktorësh, ku turizmi ka luajtur një rol të rëndësishëm vetëm në vitet e fundit. Ndërkohë, ritmi i jashtëzakonshëm i ndërtimit dhe flukset e valutës që lidhen me të duken se kanë pasur një ndikim shumë më të madh përgjatë dekadës, duke lënë ende të hapur debatin nëse të gjitha hyrjet e euros në ekonomi pasqyrohen plotësisht në statistikat zyrtare.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick