Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar shkëputjen e një masivi të madh shkëmbor në afërsi të fshatit Bardhoc, në segmentin e Rrugës së Kombit, në drejtim të pikës kufitare të Morinës.
Rënia e gurëve në rrugë solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve për disa minuta, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në këtë aks rrugor.
Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk po kalonte asnjë automjet në këtë segment, duke shmangur kështu pasoja të mundshme për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.
Pas incidentit, firma mirëmbajtëse ndërhyri me mjete të rënda për largimin e masivit shkëmbor nga rruga. Ndërhyrja zgjati rreth një orë, kohë pas së cilës qarkullimi i automjeteve u rikthye në normalitet.









