“Llogaria juaj është pezulluar!”, BSH: Mos bini pre e mashtrimeve!

Facebook
WhatsApp

AKSK paralajmëron se mashtruesit mund ta shfrytëzojnë situatën për t’u dërguar përdoruesve mesazhe të rreme, duke u paraqitur si përfaqësues të Microsoft apo të shërbimit të mbështetjes teknike.

Banka e Shqipërisë njofton qytetarët se po qarkullojnë mesazhe mashtruese (phishing) që përdorin emrin e saj. Në këto mesazhe pretendohet se llogaria bankare e marrësit është pezulluar dhe i kërkohet të klikojë në një lidhje për të përditësuar të dhënat.

Këto mesazhe janë të rreme. Ato synojnë të përvetësojnë të dhëna personale dhe bankare duke përdorur emrin e Bankës së Shqipërisë. Nëse merrni një mesazh të tillë: mos klikoni në lidhjen e përfshirë në mesazh dhe mos iu përgjigjni atij, mos jepni të dhëna personale, të dhëna të kartës bankare, fjalëkalime, PIN ose kode njëpërdorimëshe.

BSH thekson se nëse keni dhënë të dhëna ose vini re veprime të paautorizuara në llogarinë tuaj, kontaktoni menjëherë bankën tuaj përmes kanaleve të saj zyrtare. Po ashtu, raportoni çdo mesazh të tillë pranë organeve kompetente.

Edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët, bizneset dhe institucionet shqiptare për rrezikun e mashtrimeve në internet, pas problemeve që kanë prekur disa prej shërbimeve të Microsoft në rajone të ndryshme të botës.

Ndërprerjet kanë prekur shërbime si Outlook, Teams dhe Azure, duke krijuar vështirësi për përdoruesit që kërkojnë të hyjnë në llogaritë e tyre apo të përdorin platformat e komunikimit dhe punës.

Sipas informacionit që ka raportuar Microsoft, problemet lidhen me ngarkesën e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk kanë ardhur si pasojë e ndonjë sulmi kibernetik.

Megjithatë, AKSK paralajmëron se mashtruesit mund ta shfrytëzojnë situatën për t’u dërguar përdoruesve mesazhe të rreme, duke u paraqitur si përfaqësues të Microsoft apo të shërbimit të mbështetjes teknike.

Autoriteti u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj email-eve që kërkojnë ndryshimin e fjalëkalimit, mesazheve telefonike që njoftojnë bllokimin e llogarisë dhe telefonatave nga persona që premtojnë rikthimin e aksesit.

Në këto raste, mashtruesit mund të kërkojnë fjalëkalime, kode verifikimi apo informacione të tjera konfidenciale, me qëllim marrjen e kontrollit të llogarive.

AKSK këshillon përdoruesit të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të përdorin vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e Microsoft për të hyrë në llogaritë e tyre.

Gjithashtu, autoriteti kërkon që qytetarët të mos ndajnë me persona të tjerë fjalëkalimet apo kodet e sigurisë dhe të mos lejojnë persona të paverifikuar të ndërhyjnë në kompjuterët dhe pajisjet e tyre.

Për institucionet dhe bizneset, AKSK rekomandon verifikimin e çdo kërkese për asistencë teknike me personelin përgjegjës të IT-së, si dhe informimin e punonjësve për format e mundshme të mashtrimit.

Autoriteti kërkon gjithashtu që institucionet të kontrollojnë kopjet rezervë të dokumenteve të rëndësishme dhe të sigurojnë kanale alternative komunikimi, në rast se problemet me shërbimet e Microsoft vazhdojnë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick