Majko paralajmëron Ramën: Tiranën rrezikojmë ta humbasim!

Facebook
WhatsApp

Majko ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave që mund të jenë përfshirë në kontakte të papërshtatshme me botën e krimit, me qëllim shmangien e kostove politike për partinë.

Ish-kryeministri Pandeli Majko ka ngritur alarmin për lidhjet e mundshme të eksponentëve socialistë me krimin e organizuar, duke i kërkuar Edi Ramës të marrë masa për pastrimin e partisë përpara zgjedhjeve vendore të majit.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Majko ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave që mund të jenë përfshirë në kontakte të papërshtatshme me botën e krimit, me qëllim shmangien e kostove politike për partinë.

Sipas burimeve nga mbledhja, ish-kryeministri ka shkëmbyer si formë batutash me Ramën, por në thelb të fjalës së tij ka qenë nevoja për një PS të pastër nga figurat që mund të cenojnë imazhin e saj.

Majko ka kërkuar që drejtuesit socialistë të mos presin ndërhyrjen e drejtësisë, por të marrin vetë përgjegjësi përpara se të publikohet ndonjë material komprometues.

“Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokale.

Kush nga anëtarët e familjes tonë kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe diskredituese duhet të largohet menjëherë për të mos i dhënë kosto Partisë Socialiste”, ka deklaruar Majko.

Por shqetësimi i Majkos nuk është kufizuar vetëm te raportet e mundshme të socialistëve me krimin e organizuar. Ai ka ngritur edhe rrezikun e humbjes së Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar që PS-ja të mos bëjë eksperimente me kandidaturën për kryeqytetin.

“Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues”, është shprehur ish-kryeministri.

Deklaratat e Majkos kanë marrë përgjigje nga Edi Rama, i cili nuk ka ngurruar t’i rikthejë në formën e një batute skepticizmin e njohur të ish-kryeministrit.

“Skepticizmi i përhershëm i Majkos më ka motivuar mua të bëj zgjedhjet e duhura dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë me Tiranën”, është përgjigjur Rama.

Ju rikujtojmë se ish-kryeministri ka përmendur edhe ekzistencën e rreth 1 mijë orëve filmime, të cilat, sipas tij, ndodhen në duart e SPAK-ut dhe mund të përmbajnë materiale kompromentuese për persona brenda Partisë Socialiste.

“E them këtë pasi është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë tonë”, citohet të jetë shprehur Majko gjatë mbledhjes.

Në një kohë kur PS po riorganizon strukturat dhe po përgatitet për zgjedhjet vendore, paralajmërimi i Majkos për 1 mijë orët e filmimeve dhe rrezikun e humbjes së Tiranës nxjerr në pah shqetësimet që ekzistojnë brenda vetë mazhorancës.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick