Atentat ndaj shqiptarit në Itali, 43-vjeçari në gjendje kritike 

Facebook
WhatsApp

43-vjeçari, me origjinë shqiptare, bashkëshort dhe baba, pa precedentë penalë, po kthehej në shtëpi me një mik pasi kishte pirë një aperitiv në bar. Makina u afrua, pasagjeri hapi zjarr dhe më pas ata ikën me vrap raportojnë mediat fqinje.

Një 43-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në qytetin e Pavias, në Itali. Ngjarja ndodhi pak para orës 19:30 të së shtunës, kur një person që ndodhej në një automjet në lëvizje hapi zjarr në drejtim të tij dhe mikut që e shoqëronte, teksa të dy po ktheheshin në banesë.

Sipas raportimit të gazetës italiane “Corriere della Sera”, shqiptari u qëllua me një plumb të kalibrit 7.65 mm, i cili e goditi në pjesën anësore të trupit, në zonën e ijeve, duke i shkaktuar dëmtime serioze. Projektili i ka shpuar njërën mushkëri, ndërsa 43-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin San Matteo të Pavias.

Ai ndodhet aktualisht në repartin e terapisë intensive, në gjendje tepër të rëndë dhe me prognozë të rezervuar. Mjekët po e mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa jeta e tij vijon të jetë në rrezik.

I plagosuri është banor i rregullt në Certosa di Pavia dhe punon si murator. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga mediat italiane, ai është familjar dhe nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo probleme të mëparshme me autoritetet e drejtësisë.

Në momentin e sulmit, 43-vjeçari shoqërohej nga një bashkëkombës, mik dhe koleg pune, i cili gjithashtu nuk rezulton të ketë precedentë penalë. Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është edhe mundësia që objektivi i vërtetë i atentatit të ketë qenë pikërisht shoqëruesi i tij. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e pakonfirmuar.


Si ndodhi atentati, autori qëlloi nga makina në lëvizje

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, dy shqiptarët sapo kishin dalë nga një lokal, ku kishin konsumuar së bashku një aperitiv, dhe po ktheheshin drejt banesave të tyre.

Miku i 43-vjeçarit kishte parkuar automjetin në zonën e Conca del Naviglio dhe kishte planifikuar ta shoqëronte me makinë deri në shtëpi. Të dy po ecnin drejt vendit ku ishte parkuar automjeti, kur pranë tyre kaloi një makinë, marka dhe modeli i së cilës nuk janë identifikuar ende.

Automjeti po lëvizte përgjatë bulevardit të Monumentit, në drejtim të semaforit në kryqëzimin me ish-rrugën shtetërore 35, e njohur si “dei Giovi”.

Në një moment, makina uli shpejtësinë, por nuk u ndal dhe as nuk hyri në zonën e parkimit. Nga xhami i përparmë në anën e djathtë, atë të pasagjerit, një person që ndodhej brenda automjetit hapi zjarr në drejtim të dy shqiptarëve.

Një prej plumbave goditi 43-vjeçarin, ndërsa makina e autorëve vijoi lëvizjen dhe u largua nga vendi i ngjarjes.Pas të shtënave, shoqëruesi i të plagosurit njoftoi menjëherë shërbimet e urgjencës dhe familjarët e tij. Por, pa pritur mbërritjen e ambulancës, familjarët vendosën ta transportonin vetë me automjet drejt spitalit, ku mjekët konstatuan gjendjen kritike të shqiptarit.

Policia sekuestron kamerat e sigurisë, dyshohet se në atentat morën pjesë dy persona

Hetimet për zbardhjen e atentatit janë marrë përsipër nga sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Pavias.

Oficerët kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në zonën ku ndodhi sulmi, me qëllim identifikimin e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, në makinë mund të kenë qenë dy persona: drejtuesi i automjetit dhe autori që qëlloi me armë zjarri.

Pas sulmit, automjeti dyshohet se ka vijuar lëvizjen drejt semaforit të rrugës shtetërore dhe më pas është kthyer djathtas, në drejtim të Milanos.

Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë arritur të përcaktojnë motivin e atentatit. Një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një larjeje të mundshme hesapesh, por hetuesit nuk kanë konfirmuar ende asnjë lidhje të të plagosurit apo të shoqëruesit të tij me botën e krimit.

Policia po verifikon gjithashtu mundësinë që sulmi të ketë ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të mëparshëm, që mund të lidhet me aktivitetin e tyre në sektorin e ndërtimit.

Pavarësisht dyshimeve të ngritura, deri në këtë fazë nuk ka një motiv të përcaktuar dhe as persona të identifikuar si autorë të atentatit. Hetimet vijojnë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar se kush qëlloi ndaj 43-vjeçarit shqiptar.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick