I shkruar nga gazetarja politike Catherine Nay, sjell një portret ndryshe të kreut të Elizesë, duke e përshkruar si një njeri jashtëzakonisht inteligjent, por emocionalisht të izoluar, me vështirësi për të pranuar kritikat dhe për të vënë në pikëpyetje vendimet e veta.
Një biografi e re për presidentin francez Emmanuel Macron hedh dritë mbi anën më pak të njohur të jetës së tij, duke zbuluar detaje nga fëmijëria, marrëdhënia e pazakontë me gjyshen dhe historia e dashurisë me bashkëshorten Brigitte, e cila është 24 vite më e madhe se ai.
Libri, i shkruar nga gazetarja politike Catherine Nay, sjell një portret ndryshe të kreut të Elizesë, duke e përshkruar si një njeri jashtëzakonisht inteligjent, por emocionalisht të izoluar, me vështirësi për të pranuar kritikat dhe për të vënë në pikëpyetje vendimet e veta.
Në intervistat e dhëna për biografinë, Macron pranon se nuk e ka përjetuar kurrë adoleshencën si bashkëmoshatarët e tij dhe se, edhe sot, ndihet ende si një fëmijë.
“Unë jam ende fëmijë. Nuk kam qenë kurrë adoleshent. Nuk më pëlqejnë adoleshentët. Nuk i kuptoj ata. Gruaja ime i kupton ata”, është shprehur presidenti 48-vjeçar, sipas gazetës “The Times”.
Gjyshja që kontrollonte jetën e tij, Macron i premtoi se nuk do të takohej më me vajza
Sipas autores, fëmijëria e presidentit francez është dominuar nga dy figura të fuqishme femërore, gjyshja e tij, Manette, dhe më vonë bashkëshortja Brigitte.
Manette, një ish-drejtoreshë shkolle, përshkruhet si një grua autoritare, e cila kishte ambicien ta formësonte nipin sipas modelit të saj të përsosur, duke e kthyer në një lloj “kryevepre” personale.
Ajo e mbante Macronin të përqendruar pothuajse tërësisht te studimet dhe kishte një kontroll të fortë mbi jetën e tij. Marrëdhënia u tensionua kur, në moshën 14-vjeçare, ai nisi të shfaqte interes për vajzat.
Sipas biografisë, Macron arriti të rifitonte besimin e gjyshes vetëm pasi i premtoi se “Nuk do të shoh më kurrë vajza”.
Autorja thekson se lidhja e tij me Manette ishte shumë më e fortë sesa ajo me prindërit, ndërsa ndikimi i saj duket se ka vazhduar të shoqërojë presidentin edhe në jetën e rritur.
Këtë ndikim e pranon edhe vetë Brigitte Macron, e cila beson se bashkëshorti i saj nuk është shkëputur emocionalisht nga figura e gjyshes.
“Emmanuel ende nuk e ka varrosur gjyshen e tij. Ai as nuk e ka zëvendësuar atë. Ai duhet t’i nënshtrohet psikoanalizës”, i ka thënë Brigitte autores së librit.
Historia e pazakontë me Brigitte, lidhja nisi kur Macron ishte 15 vjeç
Një pjesë e rëndësishme e biografisë i kushtohet edhe historisë së marrëdhënies mes Emmanuel dhe Brigitte Macron, e cila nisi në rrethana të pazakonta.
Kur Emmanuel ishte vetëm 15 vjeç, Brigitte ishte 39 vjeçe, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo ishte mësuesja e tij e teatrit, ndërsa Macron ishte shok klase me njërin prej fëmijëve të saj.
Sipas Catherine Nay, ishte vetë Macron ai që mori iniciativën për t’u afruar me mësuesen. Ndjenjat e tij për Brigitte përshkruhen në libër si “joshja e një të rrituri”.
Ai madje i propozoi të shkruanin së bashku një dramë, në mënyrë që të krijonin më shumë mundësi për të kaluar kohë pranë njëri-tjetrit.Biografia zbulon edhe një bisedë të veçantë mes tyre. Brigitte i kishte treguar një shoqeje se në një moment e kishte pyetur Macronin nëse dëshironte të kishte fëmijë të tijët.
“Jo, dua që ti të kujdesesh vetëm për mua”, thuhet se i ishte përgjigjur ai.
Izolimi dhe bindja se ka gjithmonë të drejtë, dobësia që e shoqëron edhe në politikë
Përtej marrëdhënieve familjare, libri ndalet edhe te tiparet e karakterit që, sipas autores, kanë ndikuar në mënyrën se si Macron ushtron pushtetin.
Ai përshkruhet si një fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme, por i izoluar nga bashkëmoshatarët, me pak miq dhe pa shumë mundësi për të krijuar marrëdhënie të zakonshme shoqërore.
Sipas Nay, kjo prirje për izolim nuk është zhdukur as në moshën e rritur. Presidenti francez paraqitet si një figurë gjithnjë e më e shkëputur nga njerëzit përreth, duke kaluar pjesën më të madhe të jetës së përditshme brenda Pallatit Elize.
Autorja argumenton se vetëbesimi i jashtëzakonshëm, që e ndihmoi Macronin të mbërrinte në presidencë në moshën 39-vjeçare, duke u bërë presidenti më i ri i Francës që nga koha e Napoleonit, është kthyer në një pengesë për aftësinë e tij për të pranuar gabimet.
“Introspeksioni nuk ekziston në botën e tij shpirtërore. Edhe kur kërkon falje, ai kthehet më vonë për të shpjeguar se kishte të drejtë”, deklaroi Nay në një intervistë për radion franceze France Inter.
Gazetarja e lidh këtë tipar edhe me vendimin e Macronit për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2024. Një vendim që, sipas saj, rezultoi politikisht i kushtueshëm, pasi e la qeverinë pa shumicë parlamentare dhe e futi Francën në një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie.
Në këtë mënyrë, biografia e re përpiqet të shpjegojë se si fëmijëria, ndikimi i fortë i gjyshes dhe marrëdhëniet e pazakonta personale mund të kenë ndikuar në formimin e karakterit të një prej liderëve më të rëndësishëm të Europës.









