Kreu i Partisë Demokratike, ka akuzuar qeverinë se paketa e re fiskale do të rëndojë më shumë mbi shtresat në nevojë, duke sjellë rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha bëri thirrje për një protestë masive më 28 Nëntor, duke e cilësuar atë si një akt nderimi për flamurin kombëtar dhe sakrificën e të rënëve për Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të PD, Berisha u kërkoi qytetarëve dhe bizneseve nga mbarë vendi të dalin në rrugë dhe sheshe për atë që e cilësoi si protestën më të fuqishme kundër regjimit të Edi Ramës.
“Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi se sa një protestë e fuqishme e paparë ndonjëherë nga shqiptarët ndaj këtij regjimi, ndaj këtij Padrinoje.
Duhet të nderojmë flamurin, duhet të nderohen me 28 Nëntor të rënët e kombit të të gjitha kohërave, sakrifica e tyre. Ndaj dhe ftoj të gjitha bizneset nga mbarë vendi të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh të flamurit tonë.
Me një regjim si ky, pasiguria totale i pret shqiptarët. Urdhëro ç’bën. Kur ky me aktet që janë, si të thuash, të sanksionuara në të gjitha ligjet, procedura e tij vepron në këtë mënyrë, imagjinoni.
Por ka dhe një motiv të madh, përveç kësaj, barbaria që ai tregoi ndaj studentëve nuk i falet kurrë.Ato këmbë të thyera, ato krahë, ato kafka të çara, janë plagë për çdo shqiptar, sepse ato kanë qenë akte barbare, të një njeriu për karrigen e tij që ka pasur motiv vetëm urrejtjen ndaj rinisë shqiptare, ndaj të ardhmes së këtij vendi.
Edhe ky është një motiv madhor. 28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes të Shqipërisë”- tha ai.
Kreu i Partisë Demokratike, ka akuzuar qeverinë se paketa e re fiskale do të rëndojë më shumë mbi shtresat në nevojë, duke sjellë rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë.
Berisha kritikoi ndryshimet në skemën e TVSH-së, duke pretenduar se përfshirja e 17 500 subjekteve të reja në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar do të sjellë rritjen e çmimeve në dyqanet që tregtojnë ushqime dhe produkte bazë.
Sipas tij, pavarësisht uljes së pretenduar të TVSH-së nga 20 në 6 për qind për kategori të caktuara, zgjerimi i bazës së subjekteve që i nënshtrohen këtij tatimi do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorët.
Berisha u ndal edhe te përfshirja e profesioneve të lira në skemën fiskale, duke paralajmëruar se kjo do të sjellë shtrenjtim të shërbimeve, falimentim të disa aktiviteteve dhe largim të profesionistëve nga Shqipëria.









