Një alarm për bombë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në avionin që udhëtonte nga Manchesteri drejt Tiranës.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, në tualetin e tij është konstatuar një letër e shkruar në gjuhën angleze, e cila përmbante një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menaxheri i aeroportit ka njoftuar menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.
Më pas, efektivët e Policisë, me ndihmën e qenve antieksplozivë, kanë kryer kontrolle të hollësishme në avion, si dhe te pasagjerët dhe bagazhet e tyre.
Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet policore dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të lidheshin me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Nga kontrolli i kryer në avion nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes, duke përjashtuar praninë e një bombe në mjetin fluturues në momentin e kontrollit.
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.









