Krijohet “Lëvizja Studentore”: Të gjithë të rinjtë të na bashkohen!

Facebook
WhatsApp

Në deklaratë e grupit nismetar, theksohet se ndryshimet e nevojshme nuk duhet të kufizohen vetëm te zëvendësimi i personave në pushtet, por duhet të përfshijnë forcimin e rregullave demokratike, mbrojtjen e votës dhe garantimin e llogaridhënies institucionale.

Studentët kanë dalë me një deklaratë për mediat nga Universiteti Politeknik i Tiranës, duke njoftuar se protesta ka hyrë në një fazë të re dhe më dinamike. Ata u kanë bërë thirrje studentëve në të gjithë vendin t’i bashkohen Lëvizjes Studentore Kombëtare për të vijuar protestat dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.

Në deklaratën e tyre, studentët kërkuan një hetim të pavarur për dhunën, ndërsa theksuan se lëvizja është krijuar me nismën e vetë studentëve dhe nuk ka lidhje varësie me struktura të tjera.

Sipas tyre, Lëvizja Studentore Kombëtare është vazhdimësi e revoltës qytetare dhe jo një përpjekje për ta zëvendësuar atë. Ata theksuan se synojnë t’i shtojnë protestës zërin e të rinjve dhe shqetësimet që lidhen me arsimin, punësimin dhe të ardhmen në Shqipëri.

Studentët bënë të ditur se kanë paraqitur për diskutim publik propozimet e tyre, me qëllim krijimin e një organizimi të pavarur dhe demokratik, në bashkëpunim me qytetarët dhe aktorët e interesuar.

Në deklaratë theksohet se ndryshimet e nevojshme nuk duhet të kufizohen vetëm te zëvendësimi i personave në pushtet, por duhet të përfshijnë forcimin e rregullave demokratike, mbrojtjen e votës dhe garantimin e llogaridhënies institucionale.

Ata njoftuan se pas diskutimeve me studentët do të ndërmarrin nisma konkrete për realizimin e kërkesave të tyre, në koordinim me protestuesit në të gjithë vendin, duke mbështetur protestën paqësore, debatin e hapur dhe pluralizmin.

Deklarata e plotë:

Të dashur studentë, bashkëqytetarë, atdhetarë dhe atdhetare, Prej 31 majit 2026, qytetarë, aktivistë, profesionistë dhe përfaqësues komunitetesh, nga Shqipëria dhe diaspora, protestojnë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, të pronës publike e private, për përgjegjësi institucionale dhe ndryshimin e sistemit politik postkomunist. Ne, studentët, kemi qenë e pjesë e protestave që prej ditës së parë. Njohim dhe vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve, për demokracinë shqiptare. Me pjesëmarrjen masive të gjimnazistëve dhe studentëve, nga 13 tetori 2026, protesta hyri në një fazë të re, më dinamike dhe kërkuese, duke u përshkallëzuar pas dhunës policore ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestonin paqësisht. Kërkojmë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent të çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës, si dhe respektimin e plotë të të drejtës për protestë paqësore. Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, duke i shtuar protestës zërin dhe propozimet që burojnë nga shqetësimet tona si studentë. Ky organizim ka lindur nga studentët dhe është i tërësisht i pavarur. Mesazhi ynë është i përbashkët me atë të protestës qytetare: Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri, duke garantuar vazhdimësinë e kombit shqiptar në trojet e veta. Arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive, pa diskriminim, varen drejtpërdrejt nga mënyra e qeverisjes dhe llogaridhënia institucionale. Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona. Angazhimi ynë në këtë debat buron nga e drejta dhe përgjegjësia për të ndikuar në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e brezit tonë, pa zëvendësuar kërkesat e tjera të protestës qytetare. Këto propozime nuk pretendojnë të jenë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që studentët po zhvillojnë në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë. Ky angazhim shoqëron protestat tona dhe do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm të lëvizjes studentore dhe qytetare. Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien. Ne synojmë, një organizim studentor të pavarur, demokratik dhe të qëndrueshëm, në bashkëpunim me qytetarët dhe të gjithë aktorët e interesuar, pa cenuar kontributin e askujt. Pas bisedimeve me studentë, do të ndërmarrim nisma dhe projekte konkrete për realizimin e kërkesave tona, në bashkërendim me aspiratat e protestuesve në të gjithë Shqipërinë. Mbrojmë debatin e hapur, pluralizmin, protestën paqësore dhe të drejtën për të protestuar. Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju. Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni. Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni hasur, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen, jo vetëm tuajën, por të gjithë Shqipërisë. Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot. Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu, dhe duam të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin. E ardhmja demokratike kërkon pjesëmarrje të informuar, institucione funksionale dhe llogaridhënie të detyrueshme. Të fillojmë punën pa humbur kohë, së bashku!

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick