Moti i keq ka shkaktuar dëme materiale në disa zona të Tropojës, ku reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erë të fortë dhe stuhi, kanë sjellë probleme në infrastrukturën rrugore dhe në banesa.
Sipas informacionit të raportuar nga Emergjencat Civile, në disa segmente rrugore janë evidentuar rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe gërryerje të trupit të rrugës, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Në njësinë administrative Cërrnicë, rrëshqitja e dheut poshtë trupit të rrugës ka shkaktuar deformime, ndërsa në aksin Bujan–Fierzë, veçanërisht në fshatin Gri, janë konstatuar rënie gurësh dhe inertesh.
Dëmtime janë raportuar edhe në segmentet rrugore të lagjeve Vidricë dhe Varg, në njësinë administrative Bujan. Ndërkohë, në fshatin Tetaj, rrëshqitja e dheut ka krijuar vështirësi për qarkullimin e mjeteve.
Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në banesa. Në fshatin Leniq, në njësinë administrative Bytyç, era e fortë ka dëmtuar banesën e një qytetari, ndërsa në lagjen Partizani të Bajram Currit është dëmtuar çatia e një tjetër banese. Pasoja materiale janë raportuar edhe në banesat e familjeve të tjera që ndodhen në të njëjtën ndërtesë.
Për evidentimin e plotë të dëmeve në banesën e prekur në Leniq është ngritur një grup pune për verifikimin e situatës në terren.
Sipas autoriteteve vendore, disa nga segmentet rrugore të prekura nga reshjet dhe rënia e gurëve vijojnë të jenë të kalueshme, ndërsa në njësitë e tjera administrative nuk janë raportuar probleme.
Njoftimi i plotë:
Informacion përmbledhës i raportuar nga Përgjegjësi i EC-së, Bashkia Tropojë, mbi dëmet e shkaktuara nga kushtet e motit në territorin e Bashkisë Tropojë:
Si pasojë e reshjeve të shiut, erës dhe stuhive të shoqëruara me kushte të pafavorshme atmosferike, në territorin e Bashkisë Tropojë janë konstatuar dëmtime në infrastrukturën rrugore, rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh, si dhe dëmtime në banesa.
Konkretisht, situata e raportuar paraqitet si më poshtë:
Njësia Administrative Cërrnicë: Në segmentin rrugor poshtë fshatit Cërrnicë është konstatuar rrëshqitje e dheut poshtë trupit të rrugës, duke krijuar deformim dhe fryrje të shtratit të saj.
Segmenti rrugor Bujan–Fierzë: Janë konstatuar rënie gurësh dhe inertesh në trupin e rrugës, veçanërisht në segmentin që kalon në fshatin Gri, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Territori i Njësive Administrative të Bashkisë Tropojë: Janë evidentuar gërryerje të trupit të rrugëve dhe rënie gurësh në disa segmente rrugore, të cilat aktualisht raportohen të kalueshme.
Njësia Administrative Bujan: Si pasojë e reshjeve është dëmtuar një segment rrugor në fshatin Bujan, lagjja Vidricë.
Njësia Administrative Bujan: Në lagjen Varg është raportuar dëmtim i rrugës si pasojë e reshjeve të shiut.
Fshati Tetaj: Është konstatuar rrëshqitje dheu, si pasojë e së cilës është vështirësuar qarkullimi i mjeteve në rrugë.
Njësia Administrative Bytyç, fshati Leniq: Banesa e shtetasit Sadri Mehmet Gjedia ka pësuar dëmtime nga era e fortë dhe stuhia gjatë natës. Për evidentimin e plotë të dëmeve është ngritur grup pune për verifikimin në terren.
Qyteti Bajram Curri, lagjja Partizani: Banesa e shtetasit Rexhep Muçaj ka pësuar dëmtime në çati si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.
Dëmtimet kanë shkaktuar pasoja materiale edhe në banesat e familjeve të tjera që ndodhen në të njëjtën ndërtesë.
Ndërsa në njësitë e tjera nuk janë raportuar probleme deri në momentin e marrjes së informacionit.









